Pas tri barazimeve 0-0 radhazi, Juventusi duhet të gjejë golin dhe të fitojë sërish, për të mbajtur ritmin me rivalët e kreut. Thiago Motta e prezantoi ndeshjen kundër Genoa në një konferencë për shtyp.

Cilët mund të jenë kurthet e ndeshjes së nesërme?
Si gjithmonë, në të gjitha ndeshjet e Serie A. Ne do të gjejmë një ekip të mirë për t’u përballur seriozisht. Duhet ta orientojmë ndeshjen në anën tonë dhe jo në anën e kundërshtarit.

Në cilin aspekt keni punuar më shumë gjatë javës?
Ne jemi marrë me gjithçka, ka qenë një javë e mirë pune. Aksionet nga krahët janë të rëndësishme, si shumë gjëra të tjera. Ne duhet të dalim me shumë lojtarë përpara, për të krijuar situata goli dhe shënuar.

Sulmi juaj po vuan, ashtu si Vlahovic…
Dusan po punon shumë mirë. Është e qartë sa e rëndësishme është për sulmuesin që skuadra të ndërtojë nga prapa. Ne duhet ta vendosim atë në një pozicion për të finalizuar sa më mirë. Dusan ka nevojë për ekipin, edhe ekipi ka nevojë për atë. Ai është duke bërë shumë gjëra të tjera.

Mbi hipotezën për të luajtur në “Marassi” me dyer të mbyllura…
Është turp, sepse po flasim për sportin më të bukur në botë, ku njerëzit duhet të shkojnë në stadium për të përfituar nga një moment i mrekullueshëm dhe për të parë një shfaqje. Është turp për të gjithë, për të gjithë ne, për tifozët, për lojtarët, për trajnerët, për menaxherët, për presidentët. Mendoj se në një moment si ky të gjithë mësojmë.

A jeni të shqetësuar për fazën sulmuese?
Jo, nuk jam aspak i shqetësuar. Faza e sulmit nuk bëhet vetëm nga një lojtar, por e gjithë skuadra. Ne hodhëm një hap të rëndësishëm në ndeshjen kundër Napolit, ia hoqëm topin një ekipi të madh. Duhet t’i vendosim sulmuesit dhe mesfushorët në pozicionet më të mira, të luajmë si ekip.

Si e keni parë Gatti në orët e fundit? Si është Conceicao?
Federico është mirë, është një njeri shumë i lumtur. E përgëzoj publikisht atë dhe partneren e tij për lindjen e Camilla. Dhimbja në kyçin e këmbës i ka ikur, do të jetë me grupin. Edhe Francisco do të jetë me ekipin nesër.

Si keni ndërmend t’i menaxhoni javët me tri ndeshje?
Kjo javë ishte shumë më e lehtë, sepse i besoj stërvitjes. Pashë shumë gjëra të mira në fushë nga të gjithë, madje edhe ata që morën pjesë më pak. Kemi pasur një javë të plotë dhe kam shumë më tepër informacion për të gjithë grupin.

Si duket Douglas Luiz?
Ai pati një javë të shkëlqyer pune, duhet të vazhdojë kështu. Të shohim nesër kush do të fillojë dhe kush do të aktivizohet nga stoli.

A e keni ndjerë pak ankthin e mungesës së fitores?
Juventusi synon të fitojë gjithmonë. Edhe unë dua të fitoj rregullisht, por ka shumë gjëra pas fitores. Në fund të fundit, qëllimi është të fitojmë me lojën tonë. Nuk kam ndjerë kurrë ankth në ekipin tim, besojmë te rezultati pozitiv.

A do të ishte sukses surprizues fitimi i kampionatit?
Ne duam të jemi konkurrues, synimi është ndeshja e nesërme. Duam t’i shpenzojmë të gjitha energjitë tona ndaj një kundërshtari të fortë, sidomos në shtëpi.

Çfarë po ndodh me Miretti?
Është një lojtar me cilësi të madhe, si teknike, ashtu edhe fizike. Ai donte më shumë minuta lojë, një zgjedhje me të cilën jam dakord. Është lojtar i shkëlqyer dhe djalë fantastik, e meriton vëmendjen.

A e keni zgjedhur tashmë formacionin apo keni ndonjë dyshim?
Po, e kam zgjedhur. Vërtet dëshironi ta dini? Epo, do t’ju them atëherë. Mattia do të luajë nesër (Perin), Jonas (Rouhi), Gleison (Bremer), Pierre (Kalulu); Danilo që do të jetë kapiten, Fagio, Wes (McKennie), Koop, Kenan (Yildiz), Dusan (Vahovic) dhe Nico Gonzalez.

The post Tri ndeshje radhazi pa fitore dhe gol të shënuar, Thiago Motta: Nuk jam i shqetësuar për fazën e sulmit appeared first on Telesport.