Presidenti amerikan, Donald Trump anulon udhëtimin e negociatorëve amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner drejt Pakistanit, për bisedime me Iranin, përcjell TV21.

“U thashë njerëzve të mi pak më parë se ata po përgatiteshin të niseshin, dhe u thashë: ‘Jo, nuk do të bëni një fluturim 18-orësh për të shkuar atje. Ne i kemi të gjitha kartat në dorë. Ata mund të na telefonojnë kur të duan, por ju nuk do të bëni më fluturime 18-orëshe për të shkuar të uleni dhe të flisni për asgjë”, tha Trump.

Paraprakisht, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, kishte paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë një delegacion në Pakistan këtë fundjavë.

Ndërkaq, delegacioni iranian, në të cilin bën pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme Abbas Araghchi, është larguar nga Islamabadi pas takimeve të sotme me zyrtarë të lartë pakistanezë, raportoi Al Jazeera.

Sipas mediave, delegacioni iranian u ka paraqitur liderëve pakistanezë një listë zyrtare të kërkesave të Teheranit për përfundimin e luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.

Pas bisedimeve me zyrtarët në Islamabad, Araghchi i ka vlerësuar përpjekjet e Pakistanit për ndërmjetësim dhe për shtyrjen e vazhdimit të negociatave me SHBA-në për arritjen e një paqeje të qëndrueshme.

Në një postim në Telegram, Araghchi ka deklaruar se ka diskutuar “zhvillimet më të fundit lidhur me armëpushimin” midis SHBA-së dhe Iranit me komandantin e ushtrisë pakistaneze, marshallin Asim Munir, si dhe me kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif.

Pas vizitës në Pakistan, Araghchi, sipas njoftimeve, pritet të udhëtojë në Oman dhe Rusi për konsultime të mëtejshme diplomatike.