Presidenti amerikan Donald Trump ka përshëndetur marrëveshjen e përbashkët të mbrojtjes të nënshkruar mes Arabisë Saudite, Turqisë dhe Pakistanit, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për sigurinë rajonale, përcjell TV21. Në një postim në rrjetin e tij social, Truth Social, Trump tha se ishte “shumë i lumtur” që tre vendet kishin nënshkruar marrëveshjen e njohur si Marrëveshja e Mbrojtjes së Përbashkët të Mekës.

“Kjo tregon se si Lindja e Mesme po bashkohet dhe se si vendet më në fund do të jenë në gjendje të mbrohen në mënyrë më kuptimplotë”, shkroi Trump, duke përgëzuar udhëheqjen e tre vendeve.
Presidenti amerikan e përshkroi marrëveshjen si një “hap të madh, të guximshëm dhe të rëndësishëm”.
Marrëveshja u nënshkrua më 7 gusht në Mekë dhe parashikon që një sulm i armatosur ndaj njërit prej tre vendeve të konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve. Pakti përfshin gjithashtu bashkëpunim më të thellë ushtarak, përfshirë stërvitje të përbashkëta dhe koordinim në fusha si mbrojtja ajrore, dronët, lufta elektronike dhe inteligjenca artificiale. Marrëveshja është krahasuar me parimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s, ndërsa Turqia ka bërë të ditur se ajo mund të zgjerohet edhe me vende të tjera të rajonit.
