Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump i ka kërkuar homologut të tij kinez, Xi Jinping që të mos i japë Iranit armë.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë e bëri kërkesën e tij përmes një letre drejtuar presidentit të Kinës, ky fundit iu përgjigj se ata nuk po e furnizojnë Teheranin.
Trump në një intervistë me Fox Bussines Network të mërkurën e 15 prillit nuk e saktësoi nëse kishte shkëmbyer letra me presidentin kinez. Javën e kaluar, presidenti i SHBA-ve kërcënoi vendet me tarifa 50% nëse do ndihmonin Iranin me armë.
“I shkruajta atij një letër për ti kërkuar që të mos e bëjë atë, dhe ai më dërgoi një letër mbrapsht duke më thënë që nuk po e bën atë”, tha Trump, shkruan Reuters.
Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se ai nuk pret lëvizje në tregjet e naftës sa i përket luftës në Iran, ndërsa pret që ndryshimet e kohëve të fundit në Venezuelë të kenë një impakt të madh përpara takimit të tij me Xi Jinping muajin e ardhëm.
Trump shtoi se është Kina ajo që do naftën dhe jo SHBA-të. “Ai e dëshiron naftën, jo ne”, tha Trump duke iu referuar presidentit të Kinës.
Kujtojmë që SHBA-të prej ditësh tashmë kanë vendosur një bllokadë në Ngushticën e Hormuzit dhe në portet e Iranit.
Ushtria amerikane nuk lejon asnjë anije iraniane të dalë apo të hyjë në portet e Iranin. Gjithashtu SHBA po pengon edhe kalimin e anijeve që i paguajnë taksë Iranit për të kaluar në Ngushticën e Hormuzit.
Kjo lëvizje e Amerikës ka bërë që çmimet në tregjet financiare dhe ato të naftës të rriten duke krijuar pasiguri.
