Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se po e pezullon një sulm të ri ushtarak ndaj Iranit, i planifikuar për të martën, me kërkesë të shteteve të Gjirit Persik, pasi “negociata serioze po zhvillohen tani”.
Në një postim në Truth Social, ai tha se kjo iu kërkua nga liderët e Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Trump tha se ishte informuar se do të arrihej një marrëveshje që është “shumë e pranueshme” për SHBA-në, duke shtuar se “NUK DO TË KETË ARMË BËRTHAMORE PËR IRANIN!”
Por ai paralajmëroi se Ushtria amerikane do të jetë e gatshme të “vazhdojë me një sulm të plotë dhe në shkallë të gjerë ndaj Iranit, në çdo moment”, nëse nuk arrihet një marrëveshje e pranueshme.
Irani nuk ka komentuar publikisht deklaratën më të fundit të Trumpit.
Gjatë fundjavës, Trump kishte paralajmëruar Teheranin se “po i mbaron koha”, pasi bisedimet për t’i dhënë fund luftës kishin ngecur.
Forcat izraelite dhe amerikane nisën sulme masive ajrore ndaj Iranit më 28 shkurt, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj duke lëshuar dronë dhe raketa ndaj Izraelit dhe objektivave amerikane në vendet e Gjirit.
Një armëpushim i arritur në prill, i menduar për t’i lehtësuar bisedimet, është respektuar kryesisht, pavarësisht shkëmbimeve të herëpashershme të zjarrit.
