Çmimet e naftës kanë shënuar rënie sot, pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ka shumë pak gjasa të urdhërojë sulme të reja ndaj Iranit, ndërsa po zhvillohen negociatat për përfundimin e konfliktit, përcjell TV21. Megjithatë, sulmet e reja ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit vazhdojnë të shkaktojnë shqetësime për furnizimin me naftë, raportojnë mediat britanike.
Nafta Brent ra për 1,27 për qind, në 96,94 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar amerikane u ul për 0,87 për qind, në 90,04 dollarë për fuçi. Gjatë javës së kaluar, Brent shënoi rënie prej 16 për qind, rënia më e madhe javore që nga prilli i vitit 2020.
Trump sinjalizoi të dielën se nuk synon përshkallëzim të mëtejshëm, megjithëse si Uashingtoni, ashtu edhe Teherani raportuan sulme ndaj anijeve në ose pranë Ngushticës së Hormuzit. Ndërkohë, Irani paralajmëroi se do të kundërpërgjigjet me sulme ndaj objektivave amerikane dhe izraelite.
Analisti kryesor i KCM Trade, Tim Waterer, tha se deklaratat e Trumpit kanë qenë më të përmbajtura, ndërsa tregjet presin të shohin nëse rezultatet e zgjedhjeve kanë sjellë ndryshim të qëndrueshëm në qasjen e presidentit amerikan ndaj konfliktit.
Në anën tjetër, banka JPMorgan bëri të ditur se furnizimi global me naftë sërish po tejkalon kërkesën. Sipas raportit të saj, kjo vjen si pasojë e rikuperimit të rezervave në Lindjen e Mesme, rritjes së prodhimit në rajone të tjera dhe kërkesës së dobët.
Teprica globale e naftës është rritur nga 1,1 milion fuçi në ditë në shtator, në 1,4 milionë fuçi në ditë në tetor.
