Deputeti belg Frederic Erens, ka kaluar një natë të tërë i bllokuar në tualetin e Parlamentit, pasi mekanizmi i derës u prish dhe ai nuk mundi të dilte.
Erens kishte përfunduar punën në një komision rreth orës 17:00 të së martës dhe kishte shkuar në tualet pa marrë me vete telefonin. Kur mbylli derën, kyçi u këput dhe politikani mbeti i bllokuar brenda.
Meqë ishte ndër personat e fundit që ndodheshin në ndërtesë, Erens shpresoi se rojet do të kryenin kontrollin e zakonshëm të mbrëmjes dhe do ta gjenin. Por kjo nuk ndodhi dhe ai u detyrua të priste deri në mëngjes.

Hapi vrima në derë për të marrë oksigjen
Situata u bë më shqetësuese pasi ajri në tualet filloi të pakësohej. Tualetet janë të pajisura me dyer kundër zjarrit për arsye sigurie, të cilat kufizojnë qarkullimin e ajrit.
Erens tha se u detyrua të improvizonte. Me një objekt metalik që gjeti në tualet, ai hapi dy vrima në derë, një në pjesën e sipërme dhe një në pjesën e poshtme, në mënyrë që të lejonte hyrjen e oksigjenit.
Vetëm të mërkurën në mëngjes, rreth orës 06:00, kur punonjësit e pastrimit nisën punën, Erens u gjet i bllokuar në tualet.
Pas rreth 13 orësh, ai u nxor nga tualeti me ndihmën e një leve metalike dhe u dërgua në spitalin Sint-Jan në Bruksel për kontrolle mjekësore.
