Pas rreth 12 orë punë, përfundoi sanimi dhe rindërtimi i ujësjellësit të qytetit dhe uji u rikthye në çezmat e banorëve të pjesës më të madhe të Shkupit. Mbi 160 të punësuar në Ujësjellës që nga mbrëmë vonë pas punës së lodhshme që kishin bërë gjatë gjithë natës dhe mëngjesit në kushte të këqija atmosferike arritën të rregullojnë atë që nuk ishte bërë me vite. Në vendin e defektit kryesor në Karposh 4 në rrugën Nikolla Parapunov ku punimet po përfundonin në mesditë, aty ishte edhe kryetarja Danela Arsovska. Ajo tha se në realizimin e këtij rikonstruksioni u përfshinë një numër i madh i punonjësve të Ujësjellësit, të cilët shpejt përfunduan diçka që kishte paraqitur problem për dekada.

“Ekspertët tanë, si ndihmës-teknik dhe inxhinierët mekanik, VKV hidraulikë që punuan në këtë projekt me të vërtetë arritën që në afat shumë të shkurtër të përfundojnë të njëjtin, për shkak se ky operacion përfshinte jo vetëm momentin e punës në terren por edhe nxjerrjen e atyre elementeve nga vetë mbyllësit, dërgimin e të njëjtëve deri te ndërmarrja publike ku me aparaturë adekuate u krijuan të reja me të cilat u zëvendësuan elementet e vjetra dhe ky modernizim është diçka që ndodh për herë të parë”, tha Danella Arsovska, kryetare e Shkupit.

I pari i Ujësjellësit, Toni Millevski, shpjegoi gjithçka që është bërë.

“U ndryshuan 5 valvula të ajrit ku kishte ajër të ngelur në gypin e ujit për përmirësimin e furnizimit me ujë. Gjithashtu u krye riparimi i dy mbyllësve Fi 700 milimetra, një mbyllës Fi 600 milimetra dhe një mbyllës Fi 500 milimetra dhe u ndryshua një mbyllës plotësisht i ri Fi 400 milimetra ku në komunën Gjorçe problemi zgjaste disa dekada, ku kishte shtypje të ulët të ujit”, tha Toni Millevski, drejtor i Ujësjellësit dhe Kanalizimit.

Nga Instituti për shëndet publik paralajmërojnë se uji nuk duhet të pihet menjëherë, ndërsa çezmat duhet të lëshohen që një periudhë të rrjedh ujë.

“Rekomandojmë qytetarët të mos e pinë ujin menjëherë pas lëshimit në rrjetin e ujësjellësit përshkak se koha e kryerjes së ndërhyrjes dhe koha e klorit të mbetur dhe uji në rrjet, nevojitet kohë që klori i mbetur të fillojë të veprojë ndaj mikrobiomit të pranishëm në ujë, në kushte të temperaturave të tilla të ulëta, mund të zgjasë një orë”, shtoi Marija Andonovska, Instituti për Shëndet Publik.

Ndërprerja e rrjetit të ujësjellësit ndodhi dje pak pas orës 22 për shkak të intervenimit të paralajmëruar për sanimin e gypit kryesorë. Për këtë shkak qytetarët ishin të obliguar që paraprakisht të furnizoheshin me ujë të pijshëm dhe për nevojat e tyre.