Blegtoria në Maqedoni po përballet me presion gjithnjë e më të madh, pasi çmimi i grumbullimit të qumështit të papërpunuar është ulur përsëri. Sipas informacioneve nga terreni, disa qumështore e kanë ulur çmimin edhe për 2 denarë shtesë për litër, duke shkaktuar revoltë të madhe tek fermerët, përcjell tetova1
Blegtorët thonë se prodhimi po bëhet gjithnjë e më pak fitimprurës, ndërsa shpenzimet për ushqimin e bagëtive, karburantin, shërbimet veterinare dhe materialet bujqësore vazhdojnë të rriten.
Sipas fermerëve nga Pellagonia dhe rajone të tjera, vitin e kaluar një pjesë e qumështit grumbullohej deri në 33 denarë për litër, ndërsa sot çmimet lëvizin nga 24 deri në 29 denarë, varësisht nga qumështorja.
Fermerët paralajmërojnë se ky rënie po godet rëndë ekonominë e fermave, sidomos prodhuesit e vegjël familjarë që punojnë në kufijtë e mbijetesës. Ata theksojnë se gjithçka po shtrenjtohet, ndërsa vetëm qumështi po humb vlerë.
Sipas përllogaritjeve të tyre, ulja prej vetëm 2 denarësh për litër mund t’u shkaktojë humbje prej mijëra eurosh në vit fermave mesatare.
Blegtorët paralajmërojnë se nëse vazhdon ky trend, shumë ferma do të detyrohen të zvogëlojnë numrin e bagëtive ose ta ndërpresin plotësisht prodhimin. Në vitet e fundit, vendi tashmë është përballur me ulje të numrit të lopëve qumështore, mbyllje të fermave të vogla dhe rritje të importit të produkteve të qumështit.
Pakënaqësi shtesë shkakton edhe dallimi i madh mes çmimit që marrin blegtorët dhe çmimit që paguajnë qytetarët në markete. Ndërsa qumështi grumbullohet me 24–29 denarë për litër, konsumatorët shpesh paguajnë dy ose trefish më shumë në dyqane.
Për këtë arsye, fermerët kërkojnë mbrojtje më të madhe për prodhimin vendor, pagesë të rregullt të subvencioneve, çmime të drejta të grumbullimit dhe masa urgjente për shpëtimin e blegtorisë. /tetova1.mk
