VLEN përgënjeshtron kryetarin e komunës së Sarajit Iljaz Veseli, i cili ditë më parë tha se numri i këshilltarëve në këtë komunë do të ulet nga 23 në 19. Deputetja Saranda Imeri tha se në komunën e Sarajit aktualisht ka 19 këshilltarë dhe aq do të jenë edhe në të ardhmen, ndërsa shtoi se nuk di Iljazi nga i ka nxjerrë 23 këshilltarë.

TV21 kontrolloi ueb faqen e komunës, në të cilën shihen se janë 19 këshilltarë.

Kjo temë u bë aktuale që kur Qeveria mori vendim që të ulet numri i këshilltarëve nëpër komuna, duke mos llogaritur numrin e banorëve jorezident.

Për këtë Imeri akuzon pushtetin e kaluar se pse vendosi që në Regjistrimin e Popullsisë të ketë ndarje të banorëve në rezident dhe jo rezident.

“Kujtomë që regjistrimi i popullsisë ndodhi kur Bdi ishte në pushtet, prandaj për pasojat eventuale të regjistrimit nuk ka të drejtë të ankohen, sepse kur ishte koha ata zgjodhën që të heshtin. Ata heshtnin për çdo gjë, edhe për rastin e fshatit Gërcec, ku sipas numrave zyrtar të ESHS figuronin vetëm 38 banorë rezident”, tha Saranda Imeri nga VLEN.

Por këtyre akuzave iu përgjigj Kreshnik Bekteshi në DailyClick. Ai tha se deri në formimin e Qeverisë së re për bazë është marr numri i përgjithshëm i qytetarëve, ndërsa me ardhjen e VLEN, siç tha Bekteshi, kjo praktikë ndryshoi.

“Në ligjin për regjistrim është shumë qartë që numri i përgjithshëm i qytetarëve përbëhet nga qytetarët rezident dhe jorezident. Është mekanizëm statistikor kjo ndarje, e cila ndodh në çdo shtet të BE-së. Në RMV deri në formimin e kësaj Qeverie pa legjitimitet etnik, është marrë për bazë numri i përgjithshëm i qytetarëve. Me vendim të kësaj Qeverie ku është nënshkruar kryeministri Mickoski është ulur numri i këshilltarëve komunal të komunave ku kryesisht banojnë shqiptarët duke i anashkaluar qytetarët jorezident”, tha Kreshnik Bekteshi.

Përveç uljes se numrit të banorëve, mosnumrimi i mërgimtarëve do të ndikojë edhe në mjetet financiare që pushteti qendror ua jep komunave, sepse ato llogariten për kokë banori.