Gazetare: Melihate Rustemi

Pas përfundimit të maturës shtetërore, maturantët tashmë janë para zgjedhjes së universitetit dhe drejtimit që do të studiojnë. Për vitin akademik 2026/2027, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ka paraparë 1.360 vende për studentët e rinj. Sipas rektorit, Besnik Fetaji, për herë të parë, regjistrimi do të zhvillohet përmes një procesi të digjitalizuar, ndërsa aplikimi do të bëhet online. Për Universitetin “Nënë Tereza”, afati i parë i aplikimit është nga 24 deri më 26 gusht. Rezultatet publikohen më 28 gusht, ndërsa regjistrimi i kandidatëve të pranuar bëhet nga 1 deri më 4 shtator.

“Prej sivjet kemi bë digjitalizimin komplet të universitetit dhe prej sivjet edhe regjistrimet do të jenë online. Për sivjet në kemi një numër më të vogël në krahasim me vitet tjera. Pranojmë vetëm 1.360 studentë. Në fakultetin e Shkencave të Informatikës kemi dy drejtime, pranojmë 160 studentë, njëri është  katërvjeçar, është drejtim shkencor dhe tjetri programim I aplikuar I cili është drejtim profesional trevjeçar. Fakulteti I Shkencave teknike me shumë drejtime: Elektroteknikë, Makineri, Mekatronikë, pranojmë 235 studentë. Fakultetii Shkencave Sociale, 335 studentë  pranohen, edhekëtu ka shumë drejtime”, tha Besnik Fetaji, rektor, Universiteti “Nënë Tereza”.

Rektori Fetaji tha se për vendet e paplotësuara janë paraparë edhe dy afate të tjera, më 9 dhe 10 shtator, si dhe më 21 dhe 22 shtator. Fetaji kujton se vitin e kaluar, ndër drejtimet më të kërkuara nga studentët ishte Psikologjia.

Afate të hapura për regjistrim ka edhe Universiteti i Evropës Juglindore deri më 12 shtator. Krahas programeve tashmë të njohura, këtë vit Fakulteti i Gjuhëve dhe Komunikimit ka akredituar edhe dy programe të reja: Pedagogji dhe Mësim Klasor. Profesori, Demush Bajrami tha se qëllimi është që profesionistët e ardhshëm të arsimit të përgatiten jo vetëm për të dhënë mësim, por edhe për ta kuptuar më mirë fëmijën, klasën dhe ndryshimet që sjell teknologjia në arsim.

“Tashmë mësuesit dhe profesionistët e ardhshëm nuk do të jenë ata që do të mësojnë, do të dinë të japin mësim nesër por në fakt ata që e kuptojnë arsimin, ata që e kuptojnë fëmijën, ata që e kuptojnëklasë, ata që mund ti japin diçka fëmijës sot që është në përputhje me të gjitha këo arritje dhe trend ndërkombëtar siç janë teknologjitë e reja, teknologjitë e përparuara deri tek intelegjenca artificiale duke e ndërlidhur gjithmonë këtë me termat se si të përdoret kjo teknologji. Pra, se si të vendoset në një korrektësi dhe etikë komunikimi brenda edhe intelegjenca artificiale” tha Demush Bajrami, dekan në UEJL.

Ndërkohë, në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup këtë vit janë në dispozicion 8.851 vende në 23 fakultete. Afati i parë për aplikim është më 18 dhe 19 gusht, ndërsa për vendet e mbetura janë paraparë edhe dy afate të tjera. Kështu, maturantët këtë vit kanë një gamë të gjerë zgjedhjesh, ndërsa vendimi për universitetin dhe profesionin e ardhshëm mbetet në duart e tyre.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska njoftoi se në universitetet e vendit do të ketë 2000 kuota më pak për studentë thënë se kjo është një përshtatje me nevojat e tregut. /Alsat.mk

The post Universitetet hapin dyert për studentët e rinj, më pak kuota, më shumë zgjedhje për maturantët appeared first on Alsat.