Vala e të nxehtit që ka përfshirë Francën ka detyruar disa nga atraksionet më të njohura turistike të vendit të ndryshojnë orarin e funksionimit. Kulla Eiffel u mbyll në orën 16:00, ndërsa Muzeu i Louvreit do të mbyllet dy orë më herët deri në fund të javës, për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.
Franca ka regjistruar ditën më të nxehtë në historinë e matjeve kombëtare, me temperaturë mesatare prej 29.8 gradë Celsius dhe mbi 40 gradë në shumë qytete. Kufizime janë vendosur edhe në Arc de Triomphe, disa ekspozita në Palais de Tokyo janë pezulluar, ndërsa disa atraksione në Disneyland Paris janë mbyllur përkohësisht.
Vala e të nxehtit ka shkaktuar probleme edhe në transport, shkolla dhe aktivitete publike, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe turistëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të respektojnë rekomandimet për mbrojtje nga temperaturat ekstreme. Sipas meteorologëve, temperaturat e larta pritet të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës.
