Frederic Vasseur e di se sa shumë do të thotë gara e Monza për Ferrari dhe tifozët italianë. Ferrari ndihet si në shtëpi atje dhe ka parë triumfe që kanë çuar në tituj botërorë të jashtëzakonshëm për pilotë gjatë dekadave të Formula 1.

Drejtori i ekipit të “kokëkuqes”, duke folur për këtë garë, tha: “Po përpiqemi t’i qasemi kësaj gare sikur të ishte çdo garë tjetër në kalendar. Natyrisht, realiteti është pak më ndryshe, sepse do të jemi qendra e vëmendjes, si sportivisht ashtu edhe në media”.

“Do të përpiqemi të qëndrojmë brenda flluskës sonë, të vetëdijshëm se sa kërkues është pista e Monzës për makinën tonë. Kemi pasur rezultate të mira në pista të tjera ku fuqia ishte një faktor kufizues për ne, siç janë Silverstone dhe Spa”, shtoi Vasseur.

Më tej, francezi tha: “Do të bëjmë çmos për të maksimizuar rezultatin edhe këtu, por gjithmonë duke mbetur realistë. Zhvillimi i motorit gjatë sezonit, brenda kufijve të buxhetit dhe kohës në dispozicion, është kompleks. Nuk jemi të vetmit që po bëjmë shumë përditësime”.

Në lidhje me duelin mes Leclerc e Hamilton, ai tha: “Është gjithmonë e vështirë të menaxhosh kampionët në pistë, sepse ata janë në kulmin e performancës së tyre dhe gjithmonë duan të fitojnë. Por bëhet vërtet komplekse kur nuk mund t’i diskutosh gjërat qartë me pilotët e tu, dhe ky nuk është rasti me ne”.

“Pas garës në Zandvoort patëm një telefonatë njëorëshe me Hamilton e Leclerc dhe dhamë një shpjegim të qartë të strategjisë, pse i morëm ato vendime, dhe në fund bëmë një vlerësim të situatës ndërsa tashmë u përqendruam te Monza”, deklaroi Vasseur.

The post Vasseur: Me Hamilton e Leclerc kemi sqaruar gjithçka pas garës së fundi, në Monza garojmë në shtëpinë tonë appeared first on Telesport.