Nga 1 shtatori hyjnë në fuqi rregulla të reja për qarkullimin dhe parkimin në rrugën para terminalit të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit. Sipas „TAV Maqedoni“, automjetet do të mund të ndalojnë falas deri në 10 minuta për të marrë ose lënë udhëtarë, por kjo mundësi do të lejohet vetëm një herë brenda 24 orëve. Hyrjet do të kontrollohen përmes sistemit të identifikimit dhe njohjes automatike të targave, ndërsa automjeti që hyn për herë të dytë brenda së njëjtës ditë nuk do ta ketë më të vlefshëm ndalimin falas 10-minutësh.
“Ndryshimi synon ruajtjen e qarkullimit të pandërprerë të automjeteve dhe sigurimin e kushteve të sigurta për të gjithë udhëtarët, vizitorët dhe shoferët. Me njohjen automatike të targave do të mundësojmë menaxhim efikas të qasjes, veçanërisht gjatë periudhave të ngarkesës maksimale me frekuencë të shtuar të trafikut”, thonë nga TAV Maqedoni.
Shoqata e taksive e kundërshton regjimin e ri në Aeroportin e Shkupit, duke thënë se kufizimi i hyrjes falas në një herë brenda 24 orëve vështirëson punën e taksive të licencuara që kryejnë disa transfere gjatë ditës. Sipas tyre, masa mund të sjellë kosto shtesë për udhëtarët, veçanërisht për personat me aftësi të kufizuara, ndërsa propozojnë që ndalesa falas 10-minutëshe të lejohet disa herë në ditë ose të vendoset një interval më i arsyeshëm mes hyrjeve. Shoqata kërkon gjithashtu sqarime nga TAV Maqedoni për përpunimin e të dhënave të targave dhe ngre shqetësimin nëse rregullat e reja krijojnë kushte të barabarta për të gjithë operatorët taksi.
“Nuk kërkojmë qëndrime të pakufizuara para terminalit. Kërkojmë një zgjidhje të arsyeshme: respektim strikt të kohës maksimale për ndalesë të shkurtër, mundësi për më shumë hyrje të shkurtra gjatë ditës dhe, nëse është e nevojshme, vendosjen e një intervali minimal të arsyeshëm ndërmjet dy hyrjeve falas. Presim që TAV Maqedonia publikisht ta arsyetojë nevojën dhe bazën për vendosjen e kufizimit prej 24 orësh, ndërsa nga institucionet kompetente presim të shqyrtojnë nëse ky regjim është i justifikuar dhe nëse siguron kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në treg”, thonë nga Shoqata e Taksistëve.
Shoqata e Taksistëve po ashtu pret që Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës të shqyrtojë nëse kushtet e ndryshme të qasjes në infrastrukturën e aeroportit kufizojnë konkurrencën ose krijojnë avantazh të pajustifikuar për një operator.
Qëndrim i shkurtër:
- Deri në 1 orë – 100 denarë
- Deri në 2 orë – 150 denarë
- Deri në 3 orë – 200 denarë
- Nga 3 deri në 4 orë – 300 denarë
- Nga 4 deri në 6 orë – 400 denarë
- Nga 6 deri në 8 orë – 500 denarë
- Nga 8 deri në 24 orë – 1.000 denarë
Qëndrim shumëditor:
- Nga 3 deri në 5 ditë – 3.500 denarë
- Nga 5 deri në 7 ditë – 4.500 denarë
- Për çdo ditë pasuese – 400 denarë shtesë
Përndryshe, për shoferët që kanë nevojë për qëndrim më të gjatë ose duhet të hyjnë disa herë në aeroport gjatë ditës, Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit ofron parkingun kryesor me 1.200 vende për automjete dhe 6 për autobusë. Për këtë parking, çmimet nisin nga 100 denarë për deri në 1 orë, ndërsa për qëndrime 8–24 orë kushton 1.000 denarë, kurse parkimi për 3–5 ditë kushton 3.500 denarë, me tarifë shtesë prej 400 denarësh për çdo ditë pasuese.
