Kthim tepër i vështirë për Interin në Milanom pas finales së humbur të Ligës së Kampionëve ndaj PSG-së të shtunën në Mynih me rezultatin dërrmues 5-0. Heshtja absolute mbizotëroi mesditën e së dielës, gjatë mbërritjes së skuadrës zikaltër në aeroportin e Malpensa.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, vetëm një tifoz i vetëm ishte prezent për t’i pritur lojtarët e Interit. “Jam i vetmi idiot këtu, por gjithsesi ata e meritojnë një duartrokitje”, – tha me trishtim Marco, tifozi në fjalë.
Një skenë thuajse e boshatisur që pasqyron realitetin e hidhur të një skuadre e cila nga ëndrra për t’u shpallur kampione e Europës për herë të katërt në histori, kaloi në një makth të vërtetë, pas shkatërrimit që pësoi nga PSG në fushën e “Allianz Arena”.
Zemërimi, zhgënjimi dhe frustrimi mund të lexoheshin qartë në fytyrat e të gjithë anëtarëve të ekspeditës së Interit, nga trajneri Simone Inzaghi dhe ndihmësi i tij Massimiliano Farris, te Lautaro Martínez, Hakan Calhanoglu e Francesco Acerbi.
I pari që doli nga terminali ishte Stefan de Vrij, i ndjekur nga të gjithë shokët e skuadrës, njëri pas tjetrit. I fundit ishte Acerbi. Hapat e tyre ishin të rëndë, nga dalja e terminalit deri tek autobusi. Asnjë fjalë, askush nuk foli, askush nuk ngriti sytë, të gjithë me kokën ulur.
Përshëndetja e vetme u bë nga Acerbi në momentin e fundit para se të ngjitej në autobus. Marcus Thuram, i thirrur nga pak tifozë që më në fund iu bashkuan atij të vetmit, nuk bëri asnjë gjest.
Edhe Inzaghi bëri të njëjtën gjë; eci drejt, me kokën ulur, pa thënë asgjë. Kush e di, ndoshta ato ishin hapat e tij të fundit si trajner i Interit.
Ndërkohë, tifozët kanë mbetur të shokuar dhe kërkojnë përgjigje, pas një muaji ku ambiciet për tripletë u shkatërruan plotësisht, me kulmin e zhgënjimit që u arrit me këtë humbje poshtëruese në finalen e Champions League.
The post Vetëm një tifoz del ta presë Interin në aeroport: Jam i vetmi idiot këtu, por… appeared first on Telesport.
