Gazetar: Avni Tahiri
Përkundër skadimit të afatit të Komunës së Çairit që pronarët t’i largojnë automjetet e amortizuara që zënë parkimet, ka të tilla që akoma qëndrojnë në të njëjtin vend.
Një pronare e një veture të amortizuar e cila veç më ka larguar automjetin, përshëndet aksionin e komunës por thotë se duhet gjetur zgjidhje për vend parkim në Fushë-Topanë.
“Aksioni është për tu përshëndetur dhe të gjithë duhet të kemi ndërgjegjësim për gjërat rreth nesh. Ju e larguat veturën? Po. Cila ishte arsyeja që qëndronte këtu? Ishte në procedurë trashëgimore dhe e larguam që të përmbahet aksioni dhe për të mirën e të gjithëve. ”Kishim garazhe poshtë ndërtesës dhe pasi u prishen këtu e kishim vend parkimin por duhet të kontribuojmë të gjithë”, tha një qytetare.
Nga komuna e Çairit thonë se ende nuk kanë filluar me largimin e automjeteve të amortizuara nga terreni, pasi paraprakisht është dhënë një afat për pronarët që t’i largojnë vetë automjetet. Shtojnë se janë në pritje të përgjigjes së MPB-së dhe të dhënave të sakta mbi statusin e automjeteve.
“Deri në këtë fazë, ende nuk ka filluar largimi i automjeteve nga terreni, pasi paraprakisht është dhënë një afat për pronarët që t’i largojnë vetë automjetet, me qëllim shmangien e kostove shtesë. Njëkohësisht, jemi në pritje të përgjigjes nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), për të siguruar të dhëna të sakta mbi statusin e automjeteve, përkatësisht nëse janë të regjistruara apo jo”, thanë nga Komuna e Çairit.
Nga Komuna e Çairit shtojnë se pas përfundimit të procedurave, do të vazhdojë me fazën e largimit nga terreni dhe do të informojë opinionin për numrin e automjeteve të larguara dhe vend parkimeve të liruara.
Aksioni i largimit të automjeteve të amortizuara që zënë me vite vend parkimet në Çair, filloi më 15 prill. Automjeteve të identifikuara u ishte vënë një ngjitëse me njoftimin se pronarët duhet t’i largojnë të njëjtat në afat prej tetë ditësh. Sipas komunës së Çairit, me këtë aksion pritet të lirohen rreth 200 vend parkime për qytetarët. /Alsat.mk.
The post Veturat e amortizuara vazhdojnë të zënë parkimet në Çair appeared first on Alsat.
