Nga koalicioni VLEN i janë përgjigjur kritikave të BDI-së në lidhje me industrinë e lojërave të fatit në vend. Nga ky koalicion thonë se “BDI nuk po zbulon problem, por po pengohet në gjurmët e veta”.
Në lidhje me: BDI: Pse u tërhoq ligji me të cilin premtohej largimi i lojërave të fatit nga afërsia e shkollave?
“BDI, e ushqyer dhe e mbajtur me vite nga lojërat e fatit dhe kazinotë, sot po mundohet të manipulojë me tema që vetë i ka prodhuar për vite me radhë. Ironia është brutale. Ata që për vite e kthyen industrinë e lojërave të fatit në arkë politike, sot sillen sikur nuk dinë gjë. Absurd që nuk pi ujë. E vërteta është e thjeshtë. Kur BDI flet për kazino, në prapavijë flet kutia e zezë e Artan Grubit. Ajo kuti për vite me radhë e mbajti këtë sektor nën kontroll përmes dorës së tij të djathtë, të arratisurit Përparim Bajrami, e licencoi, e menaxhoi dhe e ktheu në mekanizëm për ndikim politik, presione dhe interesa të ngushta. Sot BDI nuk po zbulon problem, por po pengohet në gjurmët e veta. Nëse BDI dëshiron të flasë për licencat, adresën e ka shumë të qartë. Le ta kërkojë te Artan Grubi dhe te arkiva e vet politike, aty ku për vite me radhë është vizatuar harta e kazinove në shtet. Kutia e zezë e Artan Grubit nuk është mbyllur. Ajo do të flasë. Dhe kur të flasë, do të bëhet e qartë se kush, ndër të tjera, e ndërtoi perandorinë e kazinove”, thonë nga VLEN.
