Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit për javën e pestë të Abissnet Superiore. Në “Loro Boriçi”, Vllaznia ka fituar 2-0 ndaj Vorës. Në minutën e 23-të, Dajan Shehi prek topin me dorë brenda zonës, arbitri kryesor i takimit, Andi Koçi, pasi merr sinjalizimin nga VAR, shkon të shohë pamjet në ekran dhe jep penallti për shkodranët. I zakonshmi Bekim Balaj nuk fal dhe dërgon topin në rrjetë.

Në minutën e 56-të, pas një krosimi perfekt të Lirim Kastratit, Edon Murataj shënon me kokë. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund, Vllaznia fiton 2-0 dhe ngjitet në vendin e dytë me 10 pikë, Vora mbetet në vendin e pestë me 7 pikë.

Pas shumë ndeshjeve larg stadiumit të tyre, Flamurtari është rikthyer më në fund të luajë në Vlorë, por për fat të keq ky rikthim ka ardhur me humbje. Flamurtari është mundur 1-2 nga Egnatia.

Rrogozhinasit kaluan në avantazh në fund të pjesës së parë, ku futbollisti me origjinë arbëreshe, Alessandro Albanese, u tregua i saktë nga penalltia, mjaft e kontestuar nga vlonjatët.

Në minutën e 58-të, arbitri kryesor i takimit Enea Jorgji, acaron për herë të dytë vlonjatët. Pas një kontakti në zonë, Erald Maksuti pengohet në zonë ngë Arben Xhemajli dhe Jorgji jep direkt penallti.

Por, pas konsultës me VAR-in, Jorgji ndryshon mendim dhe anullon penalltinë, duke krijuar një situatë të tensionuar. Goli i barazimit për vlonjatët do të vinte në minutën e 83-të, ku mbrojtësi i djahthtë, Todoroski, do të bënte më së miri rolin e sulmuesit dhe do të dërgonte topin në rrjetë.

Megjithatë, gëzimi i vendasve do të zgjaste shumë pak, pasi Egnatia gjet sërish golin e avantazhit, vetëm pas pesë minutash. Braziliani Leo Melo duke përfituar nga një mungesë vëmendjeje e mbrojtjes së Flamurtarit, gjen golin. Rezultati final, 1-2. Egnatia ngjitet në vendin e tretë me 10 pikë, Flamurtari në vendin e parafundit me vetëm dy pikë.

The post Vllaznia “ok” ndaj Vorës, Flamurtari rikthehet në Vlorë me humbje appeared first on Telesport.