Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka votuar sonte ndryshimet në përbërjen e Qeverisë, duke i dhënë mbështetje të plotë emrave të propozuar për ministra të rinj. Secili kandidat mori nga 69 vota “pro”, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim.

Me përbërjen e re të kabinetit, Jeton Shasivari do të jetë në krye të Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa Agon Ferati do të drejtojë Ministrinë e Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive.

Në postin e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave është zgjedhur Borçe Serafimovski, ndërsa Sasho Klekovski është emëruar ministër i Shëndetësisë.

Gjoko Velkovski merr drejtimin e Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ndërsa Ivan Stoilkoviq është caktuar ministër i Vetëqeverisjes Lokale.

Sedat Sulejmani do të udhëheqë Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, kurse Erxhan Demir është emëruar ministër pa portofol.

Me këtë votim, ku të gjithë anëtarët e rinj të kabinetit morën mbështetje të njëjtë në Kuvend, zyrtarisht përfundoi riorganizimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.