VLEN njofton se është gjetur një zgjidhje e përkohshme për mungesën e hapësirave në Universitetin “Nënë Tereza”, për shkak të rritjes së numrit të studentëve. Sipas partisë, zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali dhe rektori i UNT-së, prof. dr. Bekim Fetaji, kanë shqyrtuar mundësinë që hapësirat e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë të përdoren për nevojat e universitetit, deri në përfundimin e kampusit të ri.
“Kjo zgjidhje do të mundësojë që procesi mësimor të zhvillohet normalisht deri në përfundimin e kampusit të ri. Por kjo është vetëm zgjidhja e periudhës së ndërmjetme. Zgjidhja e përhershme është kampusi i ri i UNT-së, një investim prej rreth 42 milionë eurosh, për të cilin tashmë janë hedhur themelet. Kampusi i ri do t’i sigurojë universitetit hapësira moderne dhe kapacitete të mjaftueshme për studentët, stafin akademik, mësimin dhe kërkimin shkencor”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Partia vlerëson se rritja e numrit të studentëve paraqet mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të universitetit, ndërsa kampusi i ri pritet të zgjidhë në mënyrë të përhershme çështjen e hapësirave.
