Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti bashkë me kryeministrin Hristijan Mickoski, sot vizituan Kavadarin. Mexhiti njoftoi se përmes Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, po financon tre projekte në fushën e përmirësimit të infrastrukturës ujore me një vlerë totale prej 1 milion e 300 mijë eurosh, nga të cilat rreth 1 milion euro janë fonde të pakthyeshme granti, ndihmë shtetërore, ndërsa 300 mijë euro janë kontribut vetanak i komunës. Këto fonde sigurohen përmes një linje kreditore nga Banka Evropiane e Investimeve e destinuar për të gjitha komunat në vend.

“Në fshatin Moklisht, ndërtojmë një rrjet ujësjellësi dhe kanalizimesh me gjatësi prej 6.4 kilometrash dhe një rezervuar me kapacitet prej 150 metrash kub. Në vetë qytetin e Kavadarit, e ndërtojmë rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit në bllokun 5.9, rruga Veljko Vllahoviq, i cili do t’i sigurojë këtij vendbanimi të sapo ndërtuar lidhjen e ndërtesave të banimit me rrjetin ekzistues të ujësjellësit dhe kanalizimit për 400 familje dhe furnizojmë ujëmatës me lexim në distancë për zëvendësimin ose instalimin e instrumenteve të reja matëse për mbi 2,000 familje”, theksoi Mexhiti.

Sipas tij, me këto projekte, Qeveria dhe Ministria e Mjedisit Jetësor investojnë në përmirësimin e standardit të jetesës së banorëve të Kavadarit dhe në zhvillimin socio-ekonomik të komunës.