Përpos eliminimit nga FA Cup, një tjetër lajm i keq për Arsenal është dëmtimi i sulmuesit Gabriel Jesus. Ai u detyrua të largohej nga fusha gjatë ndeshjes kundër Manchester United.

Sulmuesi brazilian u zëvendësua në minutën e 40-të nga Raheem Sterling, pas një ndërhyrjeje të ashpër që i la të gjithë të mbanin frymën. Problemi duket të jetë në gjurin e tij të majtë dhe sipas mediave angleze, mund të jetë një dëmtim i rëndë.

Përplasja ndodhi teksa tentoi të ndalonte Bruno Fernandes përpara zonës së penalltisë së “topçinjve”. Gabriel Jesus ra keq pas kontaktit, duke shkaktuar një përdredhje të gjurit që dukej edhe në imazhet televizive.

Reagimi i menjëhershëm i lojtarit, i cili u rrëzua përtokë i dëshpëruar me duar në fytyrë, nuk është i mirë. Klubi londinez është në pritje të testeve të mëtejshme për të vlerësuar shkallën e problemit, por perspektiva e një pushimi të gjatë do të ishte një goditje e rëndë.

Trajneri Mikel Arteta nuk jep një lajm inkurajues për këtë dëmtim: “Jam shumë i shqetësuar, kjo është ndjenja ime. Ai duhej të dilte me barelë duke prekur gjurin. Kështu që fatkeqësisht gjërat nuk po shkojnë mirë“.

The post Arteta me dhimbje koke: Tjetër dëmtim i rënë tek Arsenal, sulmuesi del nga fusha me barelë appeared first on Telesport.