Paul Pogba, pas një periudhe të gjatë jashtë fushave për shkak të pezullimit për doping, pritet të rikthehet në lojë në muajin mars. Mesfushori francez, i cili prej kohësh është ndarë nga Juventusi, vijon të jetë enigmatik për të ardhmen e tij, duke nxitur spekulime përmes postimeve në rrjetet sociale.
Së fundmi ai ndau një foto në Instagram me një mesazh të vështirë për t’u interpretuar: “Të shohim çfarë do të ndodhë…” Deri tani nuk ka asnjë të dhënë konkrete për destinacionin e tij të ardhshëm.
Në intervistën e një jave më parë, Pogba tha: “Kam disa oferta, disa interesante, disa jo dhe aq… Rusia? Po, më kanë ardhur oferta prej andej, por nuk është ajo që dua. Synimet e mia janë të tjera. Një klub që luan në Champions League? Pse jo. Nëse vjen mundësia, sigurisht, pse jo. Unë synoj gjithmonë klubet më të mira. Sidoqoftë, kjo nuk varet vetëm nga unë, ka shumë faktorë të tjerë”.
Ndër opsionet më të përfolura për të janë “Saudi Pro League”, MLS dhe Ligue 1, ndërsa ka pasur edhe një ofertë ambicioze nga Rusia, e bërë kur Pogba ende nuk kishte lejen për të luajtur në kampionate profesioniste.
Gjatë karrierës së tij, Pogba ka veshur fanellat e Manchester United dhe Juventusit, duke shkëlqyer në disa prej skenave më të mëdha të futbollit. Me kombëtaren franceze, ai ka kaluar nëpër të gjitha nivelet e ekipeve të moshave, duke arritur kulmin me triumfin si kampion bote në vitin 2018, nën drejtimin e Didier Deschamps.
Rikthimi i Pogba mbetet një nga historitë më të ndjekura, tifozët po presin me padurim për të parë se ku do të vazhdojë ta shkruajë kapitullin e ardhshëm të karrierës së tij.
The post Rikthimi i Pogba në fushë, gjithnjë e më afër: Të shohim çfarë do të ndodhë… appeared first on Telesport.
