Donald Trump po përgatitet të mbyllë Departamentin e Arsimit. Sipas mediave amerikane, presidenti do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv, por nuk mund të eliminojë në mënyrë të njëanshme një agjenci federale, pa miratimin e Kongresit.
Trump kishte premtuar vazhdimisht në fushatë se do ta mbyllte departamentin e arsimit dhe do ia kalonte kompetencat shteteve përkatëse.
Sipas tij Shtetet e Bashkuara shpenzojnë mbi 1 trilion dollarë në vit për sistemin arsimor publik, por kjo nuk i ka nxjerrë në krye të listës në këtë fushë, përkundrazi i rendit në vendet e fundit.
Trump ka firmosur tashmë urdhër ekzekutiv në lidhje me arsimin për të zgjeruar mundësinë e zgjedhjes së shkollës.
Ai udhëzon departamentin e arsimit që t’u tregojë shteteve si të përdorin fondet federale për të nxitur të rinjtë të zgjedhin kolegje në shtetet e tyre.
Republikanët e kanë bërë plan prioritar “pastrimin” ose shfuqizimin e plotë të Departamentit të Arsimit gjatë viteve të fundit.
Në prioritetet e Trump për arsimin përfshihet shkurtimi i fondeve federale për çdo shkollë ose program që i mëshon “teorisë kritike të racës”, që i mëson nxënësit se racizmi është pjesë sistemore e shoqërisë amerikane.
Në programin e presidentit është edhe hapja e hetimeve për të drejtat civile në shkollat që diskriminojnë aziatiko-amerikanët dhe zbatimi i një sistemi të ri kredencializimi që çertifikon mësues që simpatizojnë vlerat patriotike.
