Qeveria paralajmëroi rikonstruktimin dhe përshtatjen e Aeroportit të Ohrit “Shën Apostol Pavle” dhe renovimin e spitalit “8 shtatori” i njohur si spitali ushtarak, me vlerë të përgjithshme prej 14.7 milionë eurove. Projekti për aeroportin e Ohrit përfshin ndërtimin e godinës së re administrative me zgjerimin e hapësirës për pasagjer. Ministri për transport, Aleksandar Nikollovski tha se ky është rikonstruimi i parë i aeroportit që nga ndërtimi.

“Rikonstruktimi i plotë dhe adaptimi i ndërtesës aktuale në hapësirë prej 2 ijë metrave katrorë në dy nivele, regjim plotësisht i ri trafiku në parkingun aktual dhe ky është rikonstruktim i parë i Aeroportit të Ohrit “Shën Apostoll Pavle” që nga ndërtimi”, tha Aleksandar Nikollovski – ministër i Transportit.

Projektin për renovimin e spitalit e prezantoi ministri i shëndetësisë, Arben Taravari, i cili tha se do të përfshihet pjesa për kujdes intensiv dhe sallat kirurgjike, ndërsa për herë të parë do të vendoset edhe kirurgjia robotike.

“Bëhet fjalë për rreth 2 mijë metra katrore, 7 salla kirurgjike dhe 7 shtretër për mjekim intensiv të këtyre pacientëve. Po ashtu 800 metra katrore hapësirë ndihmëse që do t’u shërbejë mjekëve për konsultime dhe hapësira të tjera ndihmëse. Po ashtu edhe laboratori biokimike, dhe që është shumë e rëndësishme, laboratori mikrobiologjike”, theksoi Arben Taravari – ministër i Shëndetësisë.

Taravari paraprakisht ishte edhe në spitalin klinik Shën Naum i Ohrit ku i prezantoi dy aparatet e reja në repartin e Urologjisë.