Me dokumente në duar, në të cilat pretendohet se janë dëshmitë se zv/kryeministri Izet Mexhiti ka bërë shkelje, Bogdana Kuzevska nga LSDM erdhi në qeveri, që të njëjtat t’ia dorëzojë kryeministrit Mickoski. Sipas LSDM-së, në dokumente thuhet qartë se Inspektorati Shtetëror Administrativ ka konstatuar parregullsi në punë, se Mexhiti ka tejkaluar kompetencat ligjore, duke i nënshkruar personalisht të gjitha rastet.

“Sipas këtyre dokumenteve, në Ministrinë për Mjedis jetësor ka qenë i vendosur sistem për nënshkrim dhe sjellja e vendimeve në kundërshtim me ligjet dhe procedurat administrative, që ngre dyshim për korrupsion dhe mito. Presim që Mickoski t’i lexojë, t’i shqyrtojë detajisht dhe të përgjigjet për të gjitha këto dyshime për keqpërdorime dhe korrupsion të mundshëm. Të shohim tani se a do të ndërmerr diçka kryeministri me dëshmi në duar, a do të thërras organet kompetente të reagojnë ose Mickoski do ta mbrojë Izet Mexhitin”, tha Bogdanka Kuzevska.

Puna administrative apo puna arkivore nuk mund të paraqitet si skandal i madh, ka reaguar zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti ndaj akuzave të socialdemokratëve. Ai thotë se LSDM po shkon sipas mendjes së BDI-së, ata janë të sinkronizuar, ka të bëjë me një vërejtje nga inspektorati e jo për kompetenca e diçka tjetër.

“Ka dalë një sugjerim, një vërejtje, jo për kompetenca, po për shkelje ligjore, po thjesht ka të bëjë me një praktikë të vendosur më herët. Ky është mendim i inspektoratit për të cilin është dhënë ankesë dhe do të shihet fundi, kjo praktikë a duhet të vazhdojë apo jo. Këtë praktikë nuk e kam vendosur unë, kjo praktikë është nga viti 2016”, dekarloi Izet Mexhiti.

Edhe nga Ministria e Mjedisit Jetësor përmes një kumtese njoftuan se mbikëqyrja e rregullt inspektuese nga Inspektorati Administrativ ka të bëjë ekskluzivisht me aspektet teknike të punës arkivore dhe në zyrë. Mënyra e punës në zyrë dhe asaj arkivore në Ministrinë e Mjedisit Jetësor është krijuar në vitin 2017 dhe që nga ajo kohë është zbatuar e pandryshuar nga të gjithë ministrat që kanë udhëhequr ministrinë, si nga radhët e LSDM-së dhe BDI-së”, – theksohet në kumtesë. E të njëjtën e thanë edhe nga Qeveria: “Inspektimi i kryer nga Inspektorati Administrativ ka të bëjë me aspekte të veprimtarisë arkivore dhe nuk ka evidentuar veprime të kundërligjshme”.