Ndër të paktat pika të ndritshme në sezonin e errët të Milanit është padyshim Tijjani Reijnders. Mesfushori holandez, pa dyshim lojtari më i mirë i ekipit për nga rendimenti dhe golashënuesi më prolifik (së bashku me Pulisic) me 12 gola sezonalë, mbërriti dje pasdite në “Casa Milan” për të firmosur rinovimin e kontratës, e cila do ta mbajë të lidhur me “Djallin” deri më 30 qershor 2030.

“Jam shumë i lumtur! Jam krenar. Milani për mua është si një shtëpi e dytë”, – tha ai për gazetarët në garazhin e selisë kuqezi.

Në mbrëmje mbërriti edhe njoftimi zyrtar i klubit: “AC Milan ka kënaqësinë të njoftojë se ka rinovuar kontratën e Tijjani Reijnders deri më 30 qershor 2030. Tijjani është pjesë e Milanit që nga vera e vitit 2023 dhe, me dinamikën dhe cilësinë e tij, është zemra e mesfushës kuqezi. Holandezi, pas 90 paraqitjeve dhe 16 golave të realizuar deri më sot, do të vazhdojë të mbajë veshur fanellën kuqezi”.

Reijnders, kontrata e mëparshme e të cilit skadonte më 2028, do të përfitojë një pagë prej rreth 3.5 milionë euro neto në sezon, plus bonuse, më shumë se dyfishi i asaj që fitonte më parë (1.7 milionë euro). Holandezi mbërriti në Itali në verën e vitit 2023 nga AZ Alkmaar për 20.5 milionë euro dhe këtë sezon ka shpërthyer në nivel personal, aq sa vlera e kartonit të tij është më shumë se dyfishuar, duke tërhequr vëmendjen e disa klubeve europiane, përfshirë Chelsea.

Milani, natyrisht, nuk dëshiron ta humbasë dhe do ta lërë të largohet vetëm në rast të një oferte të parefuzueshme.

The post Zyrtare! Milani “blindon” Reijnders deri më 2030, ja detajet e plota të kontratës së re appeared first on Telesport.