Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup ka njoftuar publikun se regjimi i ri kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut do të operacionalizohet në mesin e muajit prill 2025, transmeton TV21.
Sipas tyre, “One Stop Shop” i cili u paralajmërua se do të nis me zbatim nesër, më 1 prill, prolongohet pasi po bëhen përgatitjet finale teknike e logjistike.
“Prolongimi disa ditor është bërë me qëllim të përgatitjeve finale teknike e logjistike të ekipeve të cilat janë duke punuar intenzivisht në zbatimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme ndërshtetërore.
Rikujtojmë se regjimi i ri kufitar do të jetë sipas modelit “hyrje-hyrje” ku kontrollat do të realizohen vetëm në hyrje nga policia respektive e shtetit kurse policët do të punojnë në një objekt të përbashkët. Zbatimi i saj do të jetësohet paralelisht në pikat kufitare Hani i Elezit/Bllacë dhe Glloboqicë/Jazhincë. Ky model pritet që të zvogëloj pritjet dhe është në funksion të lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve të dy shteteve të cilët qarkullojnë çdo herë e më shumë në dy drejtimet”, njoftojnë më tej nga Ambasada e Kosovës në Maqedoni.
