Blerim Bexheti nga BDI ka reaguar pas informacionit se nesër në Qeveri do të takohen Hristijan Mickoski dhe Venko Filipçe, transmeton TV21.
Bexheti thotë se me këtë takim “shqiptarët janë nënçmuar” dhe ka porositur se nëse nuk kanë “guximin të përfaqësojnë interesat shqiptare, le të shkojnë në shtëpi”.
“Dhe ja ku kemi spektaklin më të ri politik: takime të fshehta, marrëveshje në errësirë, pazare mesnate mes liderëve politikë maqedonas, ku shqiptarët janë thjesht një detaj i parëndësishëm – ose, më saktë, as edhe një detaj! Dje u injoruan, sot u përçmuan hapur! Po çfarë thonë përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri? ASGJË! Heshtin si të jenë pajtuar me fatin e nënshtrimit, heshtin sikur t’u ketë “ikur zani”.
Apo ndoshta janë kthyer thjesht në figura pa zë, pa peshë, pa dinjitet?!
E ndërkohë që populli shqiptar pret respekt dhe përfaqësim të denjë, shqiptarët në Qeveri mjaftohen me rolin e spektatorit pa të drejtë zëri, por vetëm me të drejtën për të duartrokitur çfarë vendos “shefi i madh”! Kjo nuk është qeverisje e përbashkët – kjo është nënçmim total!
Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është një pronë private që ndahet mes miqsh të fshehtë në tavolina mesnate! KUPTOJENI se ky shtet është ndërtuar mbi Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, mbi parimin e barazisë dhe bashkëjetesës. Por nëse kjo barazi shkelet hapur, nëse përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri janë vetëm figura pa asnjë ndikim, atëherë për çfarë të ardhmeje flasim?!
Shqiptarët nuk janë as dekor, as numra, as shërbëtorë të pushtetit të dikujt tjetër.
Mjaft me heshtjen servile! Mjaft me turpin e nënshtrimit politik!
Nëse dikush nuk ka kurajë as guxim të përfaqësojë interesat shqiptare, le të shkojë atje ku e ka vendin – në shtëpi!”, thuhet mes tjerash në reagimin e Blerim Bexhetit.
