Komunikacioni në Tetovë vazhdon të zhvillohet me vështirësi për shkak të veturave të keqparkuara.
Policia, gjatë 28 ditëve të fundit, ka shqiptuar 602 dënime, ndërsa vetura e merimangës ka intervenuar në mbi 300 raste. Megjithatë, komunikacioni vazhdon të jetë kaotik. Nga SPB Tetovë thonë se po punojnë në këtë drejtim dhe u bëjnë thirrje qytetarëve për bashkëpunim.
“Vetëm gjatë këtij muaji, prej 1 prill deri ditën e djeshme kanë shqiptuar 602 masa për keqparkim edhe parkimit të gabuar, kurse nga ana e automjetit special të merimangës janë ngritur diku 300 automjete të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë penguar qarkullimin e lirshëm në komunikacion, kështu që kolegët në terren vazhdojnë të arrin masa adekuate”, tha Fatmir Rexhepi.
Nga Komuna e Tetovës thonë se situata është përmirësuar krahasuar me të kaluarën dhe paralajmërojnë se javën e ardhshme do të mbahet një debat publik ku do të prezantohet studimi i ri për rregullimin e komunikacionit.
“Në këtë drejtim komuna e Tetovës në bashkëpunim me SPB kanë bërë një sërë aksionesh të cilët mund të them se kanë rezultat me sukses. Jemi të vetëdijshëm se situata nuk është ajo që duhet të jetë, por punohet në këtë drejtim. Javën e ardhshme ne si komunë së bashku me institutin për planifikim do të organizojmë një debat publik për studimin e mobilitetit. Në këtë debat do prezantohen analizat e para, problematikat e rrugëve si dhe ri kategorizimin e rrugëve”, tha Albion Alili
Vetëm gjatë ditës së djeshme, SPB-Tetovë ka shqiptuar 50 dënime për keqparkim, prej të cilëve 35 kanë qenë në qytetin e Tetovës. Disa muaj më parë, ministri i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski, njoftoi se në Tetovë do të zhvillohet aksioni “Qytet i mbrojtur”, me qëllim të rregullimit të komunikacionit.
