Gazetar: Suad Bajrami
Maqedonia e Veriut dhe Britania e Madhe sot në Londër do të nënshkruajnë marrëveshje për partneritet strategjik me të cilën parashikohet që vendit t’i vihen në dispozicion kredi prej 6 miliardë eurosh për realizimin e projekteve kapitale në fushën e transportit, shëndetësisë, arsimit, energjetikës, teknologjisë dhe mjedisit jetësor. Marrëveshja do të firmoset nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski dhe ministri britanik i Ekonomisë dhe Eksportit Geret Tomas. Ndërsa pjesë e delegacionit janë edhe zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, ministrja e Arsimit Vesna Janevska dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për Infrastrukturë Hekurudhore Sinisha Ivanovski. Sipas autoriteteve vendase, po bisedohet për tre pako të projekteve.
Këto janë projekte në fushën e Transportit, shëndetësisë, arsimit, energjetikës, mjedisit jetësor. Vetëm se kemi biseduar për tre pako të projekteve, njëri është hekurudha e shpejtë e korridorit 10 prej Tabanoc në Gjevgjeli, i dyti është rikonstruimi dhe ndërtimi i spitaleve në Kërçovë, Tetovë dhe Shtip dhe i treti ndërtimi i Fakultetit të Mjekësisë bashkë me Shtëpinë Studentore në Shtip,” deklaroi Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.
Ndërkohë Mexhiti, pas takimit në Londër me përfaqësues të Instrumentit për Mbështetje të Financimit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar – UKEF, tha se me marrëveshjen parashikohet edhe pastrimi i mbetjeve të rrezikshme.
“Përveç këtyre dolëm edhe me idenë e re nga Ministria e Ekologjisë që ta shfrytëzojmë këtë mundësi financiare, por edhe ekspertizën, përvojën e Britanisë së Madhe që të zgjidhim një problem me dekada në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Eliminimin total të mbetjeve të rrezikshme, siç është lindani në fabrikën e Ohisit, mandej në Jugohrom, në Vakcincë të Llojanit sepse këto paraqesin rrezik potencial për ambientin dhe shëndetin e qytetarëve në nivel shteti”, tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.
Marrëveshja paraprakisht është miratuar në Qeveri, ndërsa për të hyrë në fuqi, duhet të ratifikohet në Kuvend. Ndërkohë, ende nuk është e qartë se çka duhet të ofrojë në këmbim kredisë, Maqedonia e Veriut. Nëpër media po spekulohet se motivi i kësaj marrëveshjeje, janë emigrantët ilegalë. Sidomos, duke e pasur parasysh se Britania e Madhe është në kërkim të vendeve që mund të pranojnë emigrantë të cilëve nuk u ka miratuar azil. Kjo, sidomos ka rritur dyshimet pasi që kryeministri britanik Kir Starmer se do ta zgjerojë grupin e përbashkët për migrim të Ballkanit Perëndimor të formuar me Shqipërinë dhe Kosovën, e cila duhet ta përfshijë edhe Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. /alsat.mk
The post Marrëveshja Shkup – Londër, 6 MLD euro për projekte kapitale appeared first on Alsat.
