Në një kohë kur gjithçka shihet dhe dëgjohet online, kur thuajse çdo prodhim mediatik bëhet përmes teknologjisë digjitale, e së fundi edhe përmes Inteligjencës Artificiale, dikush zgjodhi të risjellë në vëmendje gramafonat.

Mbrëmjen e 24 majit, në sallën e madhe të “Cowork21” në Shkup, buçisnin këtë të vjetra shqipe. Nga pllakat e zeza dilte zëri i Nexhmije Pagarushës, Qamilit të Vogël, Jusuf Gërvallës e të tjerë.

Me një ekspozitë të kuruar plot kujdes, mjeku i ri, pasionant në koleksionimin e disqeve të gramafonit, Bekim Ferra, solli “Muzeun e Dëgjimit”, që tërhoqi vëmendjen e plot të muzikëdashësve.

“Ideja kur kam filluar për herë të parë t’i grumbulloj këto pllaka gramafoni, s’kam menduar asnjëherë që do të dal në publik dhe do të flas për to. Kam menduar se vetëm në kushte shtëpiake do t’i trajtoj dhe largoj stresin e mjekësisë. Shumica e këtyre pllakave që i shihni sot këtu, kanë ardhur nga katër skejet e botës”, tha Bekim Fera

Ky rikthim te gramafonat nuk duhet parë si kundërshti ndaj teknologjisë moderne, por si një formë prekjeje dhe ruajtjeje të artit, theksuan profesoresha e Vjollcë Berisha dhe dirigjentja Agona Çupi.

“Asnjë prej nesh nuk jemi armiq të teknologjisë por jemi vetëm dashurues të vlerave kulturore, muzikore, letrare, figurative, ai është ndoshta “krimi” ynë i vogël që mblidhemi në auditorë të këtillë, jo për ta vënë në shënjestër hovin e teknologjisë”, tha Vjollcë Berisha.

“Besoj se është shumë e rëndësishme që të kuptojmë se pavarësisht në të gjitha sferat dalëngadalë por digjitalizojmë dhe po kalojmë në epokën e re, në epokën e mediave, e rrjeteve sociale, kompozitorët shqiptarë nevojitet t’i bëjmë pak më “trendi” dhe t’i rikthejmë pak më fuqishëm, të mos ngelin vetëm pjesë të muzeve”, deklaroi Agona Çupi.

Profesori Blerim Grubi e cilësoi këtë si një orë historie, që më shumë do t’u vlejë të rinjve, të cilëve u kërkoi ta kultivojnë artin e mirëfilltë.

“Besoj se do t’iu bëjë mirë, pasi që kjo kultura jonë po bastardohet dhe ju asnjëherë nuk e dini se cili është drejtimi nëse nuk punoni në këtë mënyrë që të vazhdoni një kulturë të mirëfilltë kombëtare shqiptare siç na ka hije”, u shpreh Blerim Grubi.

Në këtë mbrëmje u promovua edhe monografia “Gjurmë të Qamilit të Vogël në muzikë” e dy profesorëve nga Kosova, Krenar Doli dhe Bestar Vula.

Nata u mbyll me melodi e këngë të vjetra popullore-qytetare të sjella nga grupi “Rilindja” nga Gjakova, i përbërë nga të rinj që i kanë vënë vetes përballë sfidën për të kultivuar këngët e vjetra shqipe.