Policia e Shtetit (e Shqipërisë) ka njoftuar se ka arrestuar një 41-vjeçar nga Shkupi – Maqedoni e Veriut nën dyshimin për trafikim me drogë, transmeton TV21.
Ky është shtetasi i dytë i Maqedonisë që po arrestohet sot jashtë vendit. Rasti i parë ishte në Kosovë, ku një shkupjan ishte kapur me 16 mijë franga metalike.
“Finalizohet një tjetër operacion nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.
Operacioni policor i koduar “Operacionalja 54” vë në pranga një 41-vjeçar nga Maqedonia e Veriut.
41-vjeçari kërkohej nga autoritetet austriake, për disa vepra të rënda penale.
Strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, finalizuan operacionin e radhës të koduar “Operacionalja 54”.
Në kuadër të këtij operacioni, në Tiranë, u bë e mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit M. A., 41 vjeç, lindur dhe banues në Shkup, Maqedonia e Veriut.Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ndaj tij është lëshuar urdhër arresti nga Zyra e Prokurorit Publik Innsbruck, Vjenë, Austri, për kryerjen e veprave penale “Trafikim droge”, “Kërcënim i rrezikshëm”, “Zhvatje e rënduar”, dhe “Plagosje”.
Këto vepra janë të parashikuara nga Kodi Penal Austriak, ku parashikohet një dënim maksimal deri në 20 vjet burgim.
Gjatë kontrollit fizik, 41-vjeçarit iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabisi, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Interpol Tirana vijon procedurat ligjore për ekstradimin e këtij shtetasi, në bashkëpunim me autoritetet austriake”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.
