E kobshme ishte nata e mbrëmshme për Prilepin.
Një vrasje e dyfishtë dhe një vetëvrasje tronditi qytetin, veçanërisht banorët e rrugës “Stevan Apostollski”.
Siç raportohet, 43-vjeçari P.Ç. bashkë me djalin e tij 12-vjeçar, ka shkuar tek daja i tij, 63-vjeçari P.GJ., i cili i vrau, e më pas i dha fund edhe jetës së tij.
Bashkëshortja e 43-vjeçarit, rreth orës 21.20 ka raportuar në polici se burri bashkë me djalin kanë dalë nga shtëpia dhe s’ka mundur të bjerë në kontakt me ta për disa orë. Siç shtojnë nga SPB-Manastir, dyshimet e saj kanë qenë se ata gjenden tek shtëpia e një familjari. E kur policia ka shkuar për të kontrolluar, askush nuk e ka haur derën, e më pas është përballur me të shtëna armësh.

“Me urdhër të prokurorit publik, zyrtarët policorë, duke përdorur forcë, e kanë hapur derën dhe, kur kanë hyrë në shtëpi, një person ka hedhur një bombë ndaj tyre, e cila filloi të nxirrte tym, por nuk shpërtheu. Pasi zyrtarët policorë dolën nga shtëpia, është qëlluar ndaj tyre, dhe zyrtarët policorë kanë kthyer zjarrin me armë zyrtare drejt shtëpisë”, tha Sanja Stamatovska, zëdhënëse e SPB Manastir.

Pas kësaj, duke mos gjetur rrugë komunikimi dhe nën kërcënimin e vazhdueshëm të P.GJ, policia thirri për ndihmë njësinë speciale “Tigrat” të cilët arritën me helikopter. Në shtëpi hynë rreth orës 1 pas mesnatës, ku gjetën tre trupa të pajetë.

“Sipas informacioneve të para, 63-vjeçari fillimisht ia mori jetën nipit të tij nga motra dhe djalit të këtij të fundit, për shkak të mosmarrëveshjeve familjare dhe çështjeve të pazgjidhura pronësore”, njoftoi Prokuroria.

Nga Prokuroria thonë se vrasësi, pas kryerjes së krimit, motivet i publikoi në një rrjet social dhe e më pas kreu vetëvrasje.

Ja çfarë shkroi 63-vjeçari në Facebook:

“Motra ime L. Ç.. dhe djali i saj… Më vodhi dhe mori thuajse gjithçka, pjesën e mbetur e dhashë vet, por… Mos luani me ata që nuk kanë asgjë për të humbur!”.

Prokuroria ka lëshuar urdhër për autopsinë e të ndjerëve, si dhe për mbledhjen e të gjitha gjurmëve, armëve dhe municionit të gjetur në vendngjarje, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës.