Pasi emri i tij u zyrtarizua si kandidat i BDI-së për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, sot në ora 06:00 të mëngjesit doli me një video në rrjetet sociale, përmes së cilës tha se nuk mund t’i fsheh emocionet.


“Mirëmëngjesi Çairi, ora 6 dhe kjo është dita e parë që po zgjohem si kandidat zyrtar për kryetar të Komunës dhe nuk mund të fsheh se emocionet janë të mëdha. Mbrëmë telefoni nuk ndalej, mesazhe urime, thirrje. Nga miq të vjetër, nga njerëz që nuk i kam takuar kurrë. Por një gjë më la përshtypje. Në çdo zë vërejta shpresë se Çairi mund të ndryshojë, se bashkë mund ta nxjerrim nga kjo gjendje”, tha Osmani.

Për kandidaturën e tij reaguan nga koalicioni VLEN të cilët thonë osmani shqiptarëve u ofroi vetëm diplomaci me selfie, integrime evropiane të bllokuara dhe marketing për veten.

“Bujar Osmani duket më i lumtur në mesin e diplomatëve serbë sesa me bashkëqytetarët e tij nga Çairi. Nuk ka ndihmuar askënd, nuk është gjetur pranë askujt në Çair, nuk i është përgjigjur askujt në telefon. Në Çair nuk ka ndihmuar për asnjë shkollë të re, nuk ka qenë i pranishëm kur ndërtoheshin rrugë e bulevarde, as kur bëheshin çerdhe e kënde lojërash”, thanë nga VLEN-i.

Kryeministri Mickoksi nuk deshi të komentojë:

“Nuk di çfarë të them, është një çështje e brendshme e Bashkimit Demokratik për Integrim. Nëse e kanë vendosur ata këtë, është vendimi i tyre, nuk kam çfarë të komentoj këtu”, tha Mickoski.

Ndryshe, ish-kandidati për president të shtetit dhe ish-ministër i jashtëm, nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, për kundër kandidatë me gjasa do ta ketë zëvendëskryeministrin, njëkohësisht kryetar i LD-së Izet Mexhitin.