Vrasje e trefishtë në Gjilan, dorasi thuhet se ka precedent penal për 31 raste

I dyshuari për vrasjet në Gjilan Mefail Shkodra ka precedent penal në total 3 raste.
Kështu njoftoi në një konferencë për media Drejtori rajonal i policisë në Gjilan, Agron Rukiqi.
Më tej ai tha se për veprën penale “sulm”, Mefail Shkodra, i ka pesë raste, për “prishje e rendit dhe qetësisë publike” dy raste”, për “fajde” tri raste, për “mashtrim” një rast, për “kërcënim” tri raste, për “shantazh” e ka një rast, për “detyrim” i ka dy raste, për “pjesëmarrje apo organizim të grupit kriminal” e ka një rast dhe ka kundërvajtje në komunikacion.

“Për të gjitha rastet janë ndërmarrë veprimet nga ana e policisë dhe janë ngrit kallëzimet penale dhe rastet janë shpërfill tutje. Ne si polici konsiderojmë që e kemi kryer punën tonë”.

“Por, ju sigurojmë që Policia e Kosovës do t’i ndërmerr të gjitha veprimet që personat që janë në arrati të sillen para drejtësisë dhe ta marrin dënimin e merituar”, shtoi Rukiqi.
Po ashtu ai tha se Mefail Shkodra bashkë me dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra fillimisht janë larguar në këmbë, ndërsa në vend të ngjarjes është arrestuar një person i katërt.


Arrestohet një i dyshuar për vrasjet në Gjilan

Është arrestuar një person i dyshuar në lidhje me vrasjen e trefishtë në Gjilan. Identiteti i të njëjtit nuk është bërë i ditur.

Lajmin për portalin rtv21.tv e konfirmoi zëdhënësi i Policisë Rajonale për Gjilan, Ismet Hashani.

Ndërkohë, në lidhje me rastin ku mbetën tre të vrarë dhe një tjetër i plagosur në rrugën “Ibrahim Rugova”, policia ka shpallur në kërkim Mefail Shkodrën (53) dhe dy djemtë e tij, Edonis Shkodrën (25) dhe Engjull Shkodrën (22).


Vrasjet në Gjilan, policia shpall në kërkim edhe dy djemtë e të dyshuarit

Lidhur me vrasjen në Gjilan, Policia e Kosovës, përveç Mefail Shkodrës, ka shpallur në kërkim edhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjell Shkodra.

“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të të dyshuarve, lëshon këtë kërkesë për bashkëpunim me qytetarët dhe mediat”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale në Gjilan, kërkon nga qytetarët dhe mediat që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personave në fotot e bashkëngjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës në stacionin më të afërt policor, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, e-mail: info@kosovopolice.com, si dhe në numrat kujdestarë 038 504 504 7299 dhe 038 504 504 7201.Të dhënat tuaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, përfundon njoftimi.


Tre të vrarë në Gjilan, i dyshuari shpallet në kërkim

Ka vdekur edhe një person tjetër si pasojë e të shtënave me armë në mesditën e sotme në Gjilan, duke quar numrin e viktimave në tre.

Burime brenda Policisë për KALLXO.com, kanë treguar se personi i tretë nuk ka arritur që të iu mbijetojë plagëve që ka marrë dhe ka vdekur. Në Spital ka edhe persona të tjerë që janë duke u trajtuar, të cilët janë të plagosur e të lënduar.

Një nga të plagosurit është dërguar nga spitali i Gjilanit në QKUK. Drejtori Emergjencës Naser Syla, portalit rtv21.tv i tha se gjendja e tij është e rëndë por stabile. Ndërsa për momentin janë duke u kryer ekzaminimet.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, tha për rtv21.tv se fillimisht mjekët kishin konstatuar vdekjen e dy personave, e plagosjen e dy të tjerëve.