Pas një ndeshjeje të parë të luftuar në Shkup, ku Qarabağ arriti të sigurojë një fitore minimale 0-1, Shkëndija arriti në Baku për të zhvilluar ndeshjen e kthimit ndaj kampionëve të Azerbajxhanit më 12 gusht 2025, në kuadër të rrethit të tretë kualifikues të UEFA Champions League, përcjell TV21.

Në sfidën e parë të zhvilluar më 5 gusht në stadiumin e qytetit në Shkup, skuadra nga Azerbajxhani siguroi një epërsi të rëndësishme falë golit të Toral Bayramov, i cili shënoi nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 18-të.

Përkundër përpjekjeve për të barazuar rezultatin, Shkëndija nuk arriti të konkretizojë rastet e saj, ndërsa ndeshja u karakterizua nga një lojë e ashpër dhe me ndërhyrje të shumta – gjithsej u dhanë 7 kartona të verdhë.

Tani, të besuarit e trajnerit të Shkëndijës do të kenë një detyrë të vështirë përpara: përmbysjen e rezultatit në një nga stadiumet më të vështira në Europë. Qarabağ, me përvojën e tyre të gjatë në garat ndërkombëtare, do të kërkojë të menaxhojë avantazhin dhe të sigurojë kalimin në play-offin e Champions League.

Fituesi i këtij dueli do të kalojë në fazën “play-off” të UEFA Champions League, ndërsa skuadra që eliminohet do të ketë mundësinë të vazhdojë në grupet e UEFA Europa League apo UEFA Conference League, varësisht shortit dhe renditjes.