Mjeti i bazuar në inteligjencën artificiale ChatGPT përdoret aktualisht nga rreth 700 milionë njerëz në javë dhe kompania OpenAI nuk e përjashton mundësinë e futjes së reklamave në chatbot-in e saj të njohur në të ardhmen, tha udhëheqësi i produktit Nick Turley në një bisedë në podkastin Decoder.
OpenAI pret të ardhura prej 12.7 miliardë dollarësh këtë vit, më shumë se trefish nga 3.7 miliardë dollarët e vitit të kaluar. Megjithatë, kompania ende po shpenzon më shumë sesa fiton dhe nuk pret të jetë fitimprurëse para vitit 2029, tha Turley.
Kompania po kërkon mënyra të reja për të rritur të ardhurat dhe futja e reklamave mbetet një mundësi. Turley tha se reklamat duhet të integrohen “shumë të menduara mirë dhe me shije” në ChatGPT.
Drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, më parë tha se do të prezantonte reklama në ChatGPT vetëm si zgjidhje të fundit, por pranoi në qershor se nuk ishte “plotësisht kundër” kësaj ideje, raporton Verge.
Ndërkohë, kompania rivale xAI, në pronësi të Elon Musk, po planifikon të integrojë reklamat në përgjigjet e chatbot-it të saj Grok.
The post Dihet se sa njerëz përdorin “ChatGPT”: Reklama së shpejti? appeared first on Alsat.
