Lojërat e para sportive me robotë humanoide në botë do të zhvillohen këtë fundjavë në Pekin, ku rreth 500 robotë po garojnë në disiplina të tilla si futbolli, kikboksi dhe atletika, thanë organizatorët.

Eventi, i cili do të zgjasë deri të dielën, zhvillohet kryesisht në Stadiumin Kombëtar të Patinazhit të Shpejtë – një nga vendet kryesore për Lojërat Olimpike Dimërore 2022, raportoi agjencia japoneze e lajmeve Kyodo.

280 ekipe nga 16 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Japoninë, Gjermaninë dhe Italinë, po marrin pjesë në rreth 25 disiplina sportive. Ngjarja synon të promovojë aftësitë atletike, bashkëpunimin, inteligjencën dhe zbatimin praktik të robotëve humanoide në skenarë të jetës reale, në mënyrë që ata t’u shërbejnë më mirë njerëzve në të ardhmen, thonë organizatorët.

Robotët me dy këmbë garojnë në mënyrë autonome ose me telekomandë, dhe zëvendësimet e pjesëmarrësve gjatë garave nuk lejohen.

Në garën 1.500 metra, disa robotë vrapuan aq shpejt saqë edhe njerëzit që kontrollonin lëvizjet e tyre kishin vështirësi t’i ndiqnin.

Gjatë një ndeshjeje futbolli, robotët u përplasën ndërsa ndiqnin topin dhe njëri prej tyre u detyrua të largohej nga fusha sepse nuk mundi të ngrihej pasi ra.

Në një ndeshje kikboksi, një robot ra në gjunjë pas një goditjeje të fortë dhe nuk ishte në gjendje të vazhdonte garën.

Përveç disiplinave sportive, gara përfshin edhe detyra praktike, të tilla si ndarja e ilaçeve në një farmaci dhe shërbimi i mysafirëve në një hotel.

Organizimi i një eventi të tillë është pjesë e strategjisë më të gjerë të Kinës për të promovuar teknologji të përparuara si robotika humanoide dhe inteligjenca artificiale, veçanërisht në kontekstin e rivalitetit teknologjik gjithnjë e më të theksuar me Shtetet e Bashkuara, raporton Kyodo.

Në prill të këtij viti, Pekini priti gjithashtu një gjysmëmaratonë, në të cilën robotë humanoide dhe vrapues amatorë vrapuan së bashku.

The post Pekini organizon lojërat e para sportive botërore për robotët humanoide appeared first on Alsat.