Gazetar: Suad Bajrami

Bujar Osmani nga BDI mohon se ka pasur keqpërdorime në organizimin e Samitit dyditor të OSBE-së në Shkup gjatë kohës ndërsa ishte ministër i Punëve të Jashtme. Sipas Osmanit, Ministria e Punëve të Jashtme i ka dorëzuar procesverbalet për kryerjen e punimeve pas mbarimit të samitit.

“Enti i Revizionit ka bërë në “Boris Trajkovski”. Ata kur e kanë pranuar pajisjen nuk kanë shënuar në fletoret e tyre. Ajo nuk ka lidhje me MPJ-në. Në pjesën tonë të gjitha… Megjithatë prapë bëhet fjalë për “Boris Trajkovskin”. Por kjo nuk ka lidhje me MPJ, ajo është me “Boris Trajkovskin”. Me Samitin e OSBE-së. Jo, me udhëheqësinë e tyre. A i kanë shkruar atë që ne i kemi bërë atje. Domethënë, në pjesën e MPJ-së, në asnjë shkronjë nuk është gjetur parregullsi…”, deklaroi Bujar Osmani, BDI.

Nga ana tjetër, Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN, thekson që do t’ia lërë organeve të drejtësisë që të konstatojnë keqpërdorimet, ndërsa theksoi që çmimet që janë paguar për të kryer punimet, janë të frikshme.

“Është raport i Entit Shtetëror për Revizion që ka konstatuar keqpërdorime për organizimin e Samitit dyditësh ku janë harxhuar 2 milionë euro. Shumat që shihen aty 200 denarë për metër katrorë për kositjen e barit, 7 mijë euro për ndërrim të tubacioneve, janë shuma të frikshme, mirëpo këtë do ia lëmë gjyqësisë dhe prokurorisë. Ndërsa ne si qytetarë të Çairit, ne  vetëm po e paramendojmë se me kështu çmime, me kështu zhvatje, nëse e kosit barin me këto çmime si te “Boris Trajkovski”, do i lënë edhe arsimtarët pa rroga. Buxhetin e Çairit do ta gëlltitë brenda një jave Bujari. Prandaj, mendoj se do ta merr përgjigjen e qytetarëve”, tha Izet Mexhiti, VLEN.

Ndërkohë, Prokuroria ka hapur hetim lidhur me raportin e Entit Shtetëror të Revizionit për punën e Sallës “Boris Trajkovski” për vitin 2023, ku mes të tjerash është theksuar mungesa e procesverbaleve për kryerjen e punimeve dhe pajisjeve të instaluara gjatë kohës që qendra sportive u adaptua në objekt pritës për samitin e OSBE-së gjatë vitit 2023.

Këto procesverbale është dashur t’i siguronte Ministria e Punëve të Jashtme, në bazë të marrëveshjes që ka pasur me Sallën “Boris Trajkovski” që pasi të mbaronte samiti, çdo gjë e instaluar të evidentohej në procesverbal dhe t’i lë në zotërim të sallës. Enti Shtetëror i Revizionit nuk ka njohuri nëse ky adaptim ka qenë investim apo vetëm mirëmbajtje e përkohshme, pasi siç theksojnë ata, në mungesë të dokumentacionit përkatës, nuk e dinë fatin e sendeve të instaluara se ku kanë përfunduar. Alsat, kërkoi edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të na tregojë nëse ekzistojnë procesverbale të tilla dhe arsyen pse nuk i dorëzohen Ndërmarrjes Publike “Boris Trajkovski”, megjithatë deri më tani nuk na janë përgjigjur nga ky dikaster.

Nga kompania “Eurovia” dërguar një dokument, me të cilin theksojnë se më 22 dhjetor 2023 është kryer pranim-dorëzimi i objektit, respektivisht 3 javë pas mbarimit të samitit. Sipas dokumentit, përfaqësuesit e investitorit, të organit mbikëqyrës, të kryerësve të punimeve dhe të vetë qendrës sportive “Boris Trajkovski” kanë bërë kontroll vizual të ndërtimit, ndërsa organi mbikëqyrës ka dorëzuar raport përfundimtar. Më pas është kryer dhe pranimi teknik. Megjithatë, me shkrim me dorë është shkruar vërejtje se “në terren ka parregullsi që kryerësi i punimeve është i obliguar t’i rregullonte deri më 25 dhjetor”.

Dokumenti, siç mund të shihet nuk i ofron dhe nuk i plotëson të dhënat që Enti Shtetëror i Revizionit kërkon, respektivisht procesverbalet për sendet e instaluara, që sipas marrëveshjes, MPJ-ja ka qenë e obliguar t’ia dorëzojë Ndërmarrjes Publike “Boris Trajkovski”. /Alsat.mk

 

 

The post Samiti i OSBE-së, Osmani mohon keqpërdorimet appeared first on Alsat.