Gazetare: Fatlume Dervishi
Edhe një raport tjetër i Revizionit duket se do të kalojë nën hije, pa veprime konkrete nga Prokuroria Publike. Nga ky institucion nuk u përgjigjën në pyetjen e Alsat nëse do të ndërmarrin veprime hetimore ndaj gjetjeve të Entit Shtetëror të Revizionit për parregullsi në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në vitin 2023, nën drejtimin e ministrit Jeton Shaqiri.
Heshtjen e prokurorisë e ka thyer vetëm reagimi i koalicionit VLEN.
“Raporti i Entit Shtetëror të Revizionit për vitin 2023 është një aktakuzë direkte kundër BDI-së dhe ish-ministrit të Arsimit Jeton Shaqiri. Ky raport ekspozon qartë nivelin e korrupsionit, paaftësisë dhe papërgjegjësisë kriminale që ka sunduar në Ministrinë e Arsimit nën drejtimin e BDI-së. Këto nuk janë thjesht dështime administrative. Kjo është vjedhje sistematike dhe krim i organizuar kundër arsimit! BDI ka shkatërruar të ardhmen e brezave të rinj dhe ka fundosur arsimin në kolaps të plotë”, thonw nga VLEN.
Revizioni bëri të ditur një ditë më parë se ka identifikuar dobësi në menaxhimin e investimeve kapitale, objekte të papërfunduara dhe pranime teknike të parregullta, përdorim të papërshtatshëm të fondeve për tekstet shkollore të arsimit fillor, si dhe kërkesa të papaguara për kredi studentore që janë më shumë se një dekadë të vjetra.
Sipas raportit, MASH nuk ka ndërmarrë masa për shlyerjen e kredive studentore të periudhës 1998-2010 në vlerë prej 18 milion eurosh dhe se ndërtimet dhe riparimet e shkollave fillore janë bërë pa u definuar qëllimi, prioritetet dhe treguesit e suksesit. Në raport theksohej se konvikti studentor në Tetovë që ka kushtuar 3.4 milion euro është lëshuar në përdorim pa kontroll teknik por se kuzhina nuk është në përdorim për shkak të mungesës së ventilimit. Për studimet e studentëve jashtë vendit në vitin 2023 janë paguar 2.9 milion euro por pa pasur sistem për angazhimin e tyre pas përfundimit të studimeve. 500 titujt e përkthyer shkencor me buxhetin e shtetit janë dëmtuar sepse janë lënë në depo pa kushte dhe nuk janë shpërndarë tek institucionet shtetërore. 2.9 milion euro janë harxhuar për ndërtimin e dy fakulteteve në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi por përfundimi i tyre është i paqartë./ Alsat.mk
The post Arsimi/ Prokuroria hesht për parregullsitë e Shaqirit appeared first on Alsat.