Eksporti i produkteve vendase në marketet Lidl në rajon për një vit do të dyfishohet, nga pesë milionë euro vitin e kaluar, në 10 milionë këtë vit 2025. Për shkak të kësaj mundësie për eksport të produkteve vendore, kryeministri Hristijan Mickoski u bëri thirrje kompanive vendore të përshtaten me standardet që i ka ky zinxhir global.
“Presim që këtë vit, në bisedë joformale me menaxhmentin e Lidl, kjo shifër të arrijë në 10 milionë euro dhe me kohë të rritet më tej. Kjo duhet të jetë frymëzim, nxitje dhe motiv për sipërmarrësit e Maqedonisë që të plotësojnë standardet e Lidl, të prodhojnë sipas këtyre standardeve, ndërsa Lidl sigurisht do të japë mundësinë që produktet e Maqedonisë të gjenden në raftet e Lidl në vendet përreth dhe kudo ku Lidl ka nevojë për produkte cilësore vendase”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Lidl është pjesë e grupacionit gjerman Schwarz, i cili është lider në tregtinë ushqimore në Gjermani dhe Evropë. Gjithashtu, Lidl është zinxhiri i katërt më i madh i shitjes me pakicë në botë, pas Walmart, Amazon dhe Costco, dhe në vitin 2024 ka realizuar të ardhura prej 176 miliardë eurosh. Punëson 390 mijë persona dhe ka rreth 13 mijë markete në mbarë botën. Nëse respektohet cilësia, edhe eksporti vendor do të rritet, thonë edhe nga Lidl.
“Ne nuk erdhëm këtu vetëm për të bërë biznes, por jemi të përkushtuar edhe për rritjen, zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët e vendit tuaj. Gjithashtu, mbështesim prodhuesit vendas, produktet e të cilëve tashmë janë të pranishme në marketet e Lidl në vende të tjera”, u shpreh Milena Dragijska Dencheva – përfaqësuese ekzekutive e Lidl.
Sipas pritshmërive të qeverisë, me fillimin e punës së Lidl në Maqedoni, konkurrenca do të rritet dhe kjo do të ndikojë në uljen e çmimeve me pakicë të një pjese të produkteve. Kjo kompani pritet së shpejti të hapë marketet e para në vend, ndërsa fillimisht janë planifikuar 17 objekte.