Gazetar: Mihajllo Donev
Me truke dhe deklarata të zbrazëta, LSDM-ja përpiqet të mashtrojë popullin, duke shpallur linja të kuqe për Bullgarinë, ndërsa ne e dimë sa zgjatin deklaratat e tyre, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke kritikuar përsëri rezolutën e LSDM-së të propozuar si dokument me linja të kuqe të vendit në negociatat me BE-në. Sipas Mickoskit, LSDM në këtë betejë nuk është vetëm, por së bashku me BDI-në, dhe lufta e tyre është të rikthehen në pushtet, ndërsa populli të mashtrohet.
„Bëjnë fushatë së bashku me Ali Ahmetin dhe BDI-në, dhe kjo është e qartë si drita. Ne e shohim këtë në çdo hap, luftojnë për t’u rikthyer në pushtet që të vazhdojnë si më parë. Luftojnë për t’i ndihmuar Bullgarisë të dobësojë Maqedoninë, luftojnë për t’u bërë të pëlqyer për të gjithë përveç popullit të tyre. Luftojnë për të mbrojtur krimin kundër prokurorëve dhe gjykatësve të tyre, të cilët nuk kanë ndjekur asnjë padi penale kundër tyre“, tha Kristijan Mickoski — kryeministër.
Lideri i opozitës Venko Filipçe shprehu keqardhje për një narrativ të tillë të kryeministrit lidhur me rezolutën. Thotë se ky është dokumenti më patriotik deri më tani, i cili ka për qëllim të mbrojë interesat shtetërore.
„Ky është një nga dokumentet më patriotike që është ofruar në skenën politike gjatë dekadave të fundit, sepse hap një hapësirë dhe një derë për të arritur më në fund një konsensus kombëtar për linjat tona të kuqe, për të cilat nesër nuk do të negociojmë me BE-në nëse shtrohet një çështje e tillë, dhe kjo është ajo që njerëzit i shqetëson në të ardhmen si gjuha, identiteti, kultura dhe historia“, u shpreh Venko Filipçe, kryetar i LSDM.
Kryeministri dje kritikoi ashpër rezolutën e propozuar nga LSDM-ja, duke theksuar se ajo është e papranueshme pasi përmban të dhëna dhe fakte historike të pasakta, dhe njoftoi se VMRO-DPMNE do të përgatisë “rezolutë të vërtetë maqedonase”. Megjithatë, Filipçe sot tha se nuk pajtohet që në rezolutën e tyre janë paraqitur të dhëna të pasakta, por shtoi se partia e tyre është konstruktive dhe se nëse VMRO-DPMNE përgatit një rezolutë, ata janë të gatshëm ta shqyrtojnë./Alsat.mk
The post Mickoski: Me deklarata të zbrazëta, truke dhe linja të kuqe, LSDM u përpoq ta mashtrojë popullin appeared first on Alsat.
