Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga AKI, Bujar Osmani pas nënshkrimit të Kodit për Zgjedhje të Lira dhe Demokratike, theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 19 tetorit, duke thënë se rezultati në Çair do të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e komunës, por edhe pozitën e shqiptarëve në shtet për dekadat e ardhshme.

“Këto zgjedhje do ta përcaktojnë të ardhmen e komunës sonë, por edhe të gjithë shqiptarëve në dhjetë, madje edhe njëzet vitet e ardhshme”, theksoi Osmani.

Osmani i ftoi qytetarët të dalin masivisht në votime, sepse vetëm kështu mund të shprehin qartë se duan ndryshime.

“Çdo votë është e rëndësishme. Ky është momenti të thoni mjaft. Të thoni se pas njëzet vitesh ka ardhur koha për ndryshim. Jo vetëm të ndërrohen njerëzit, por të ndryshohet mënyra e qeverisjes, e cila duhet të jetë e ndershme, e përkushtuar, transparente dhe bashkë me qytetarët. Por kjo do të jetë e mundur vetëm nëse të gjithë dalim masivisht dhe votojmë”, tha Osmani.

Ai theksoi se fushata e tij do të mbetet e drejtë dhe pozitive.

“Detyrimi im është që kjo fushatë të mbetet e drejtë, pozitive dhe e fokusuar në zgjidhjet për problemet e qytetarëve. Qytetarët tanë nuk kërkojnë teatër politik, as fyerje dhe sulme. Ata kërkojnë ndryshime, rezultate dhe shpresë. Ky do të jetë fokusi im i vetëm në njëzet ditët e ardhshme”, deklaroi Osmani.