Real Madridi ka pësuar një goditje të madhe pas humbjes 5-2 ndaj Atletiko Madridit, pasi kapiteni Dani Karvahall do të mungojë për katër javë, për shkak të dëmtimit të pësuar gjatë derbit të së shtunës në “Metropolitano”. Testet mjekësore kanë konfirmuar dëmtimin dhe kohën e rikuperimit të nevojshme.
Mungesa e Karvahallit vjen në një moment kritik për skuadrën e Çabi Alonsos, e cila kërkon të rikuperohet nga humbja e parë e sezonit.
33-vjeçari ka qenë një figurë kyçe jo vetëm në mbrojtje, por edhe në rolin e udhëheqësit në fushë, që do të thotë se mungesa e tij do të ndihet ndjeshëm.Me ndeshje të rëndësishme përpara, si në La Liga ashtu edhe në Ligën e Kampionëve, trajneri Alonso do të duhet të riorganizojë opsionet e tij mbrojtëse për të zëvendësuar Karvahallin.
Mbrojtësi i djathtë anglez, Trent Aleksander-Arnold, gjithashtu është jashtë për një kohë të gjatë për shkak të dëmtimit, duke e bërë situatën edhe më të ndërlikuar për repartin mbrojtës të Realit. Karvahall do t’i mungojë skuadrës në sfidat ndaj Kairatit dhe Juventusit në Ligën e Kampionëve, si dhe ndaj Viljarealit, Getafe-s dhe Barcelonës në La Liga.
The post Dani Karvahall jashtë terrenit për një kohë të gjatë, do të humb edhe “El Klasikon” appeared first on Alsat.
