Në prag të sfidës miqësore ndaj Jordanisë, që do të luhet nesër në ora 19:00 në stadiumin “Air Albania”, trajneri Silvinjo dhe mbrojtësi Klinsman Cake dolën në konferencën zyrtare për media. Trajneri Silvinjo theksoi se, edhe pse ndeshja është miqësore, ajo nuk do të trajtohet si e tillë.
Si trajneri Silvinjo, ashtu edhe Klisman Cake i bënë një thirrje të veçantë tifozëve për të mbushur stadiumin “Air Albania”, për t’i mbështetur kuqezinjtë në ndeshjen ndaj Jordanisë dhe për të festuar së bashku fitoren ndaj Serbisë.
Trajneri Silvinjo tha se ekipi është i fokusuar te ndeshja ndaj Jordanisë dhe te dy sfidat e rëndësishme të nëntorit, duke theksuar se nuk e sheh këtë takim si miqësor, por si një mundësi për të përmirësuar skuadrën. Ai kërkoi mbështetjen e tifozëve dhe vlerësoi përkushtimin e lojtarëve në çdo ndeshje.
A do t’i jepet mundësia lojtarëve të rinj nesër të luajnë? – Ndeshjen e nesërme nuk e shoh si miqësore, sepse në çdo ndeshje futemi për të fituar. Nuk mendoj as për një formacion apo një 11-she që nuk kanë luajtur bashkë. Po punojmë shumë dhe nesër në mëngjes do të kemi 11-shen që do të jetë në fushë. Do të shohim edhe si kombinohen me njëri-tjetrin. Kemi lojtarë që kanë 6 muaj apo 1 vit me ne, por kanë bërë vetëm një ndeshje. Gripshi dhe Cake më pëlqejnë shumë si lojtarë, për personalitetin dhe për atë që kanë bërë deri tani në ekip.
Ndeshja me Serbinë dhe a keni filluar t’i bëni llogaritë për play-off-in? – Kthimi pas ndeshjes ishte i vështirë, erdhëm vonë dhe kishte shumë njerëz në aeroport. E dija që nuk ishte ndeshje normale. Por eksperienca që kemi fituar, që lojtarët kanë fituar gjatë Europianit, ndikoi që ta menaxhonim ndeshjen ndaj Serbisë. Llogaritë tona janë ndeshjet tona, kemi dy ndeshje të rëndësishme në nëntor. Të lumtur, po. Për herë të parë Shqipëria shkon të luajë dy ndeshjet e fundit me shanse që të jetë në play-off, është e bukur. Ndeshja e radhës është shumë e rëndësishme, llogaritë janë për ndeshjet tona.
Sa e ndjeni veten shqiptar dhe a keni mesazh për tifozët? – Pas kualifikimit në Europian, ndihesha 7. Pas kësaj fitoreje, ndihem 8 e gjysmë, gati 9. Në të dyja ndeshjet kemi bërë mirë, në fushë luhet futboll. E kuptoj rëndësinë e ndeshjes, për tifozët dhe për të gjithë. Mesazh për 24 lojtarët, secili mund të jetë në fushë apo në pankinë. Unë nuk besoj në miqësore, mendoj për hapin tjetër që është i rëndësishëm dhe vjen në nëntor.
Mesazhi për tifozët? – Përsa i përket tifozëve, të mbështesin Kombëtaren sepse lufton me zemër, gjak dhe shpirt. Mund të humbasësh, por asnjëherë nuk i ka munguar gjaku, shpirti dhe zemra. E dimë që nuk ka rrugë tjetër, përveçse të ecim përpara. Kërkojmë mbështetjen e tifozëve.
Urimi më i bukur pas ndeshjes me Serbinë? – Shumë komplimente dhe urime, të gjitha të rëndësishme. Por 10 ditë më parë kam pasur një bisedë telefonike me video, ishin bashkë edhe stafi afër me Roberto Mançinin. Pas ndeshjes me Serbinë, më ka shkruar: “Bravo Silvio, ke bërë shumë mirë.” Por sigurisht, të gjitha mesazhet janë të rëndësishme.
Faza play-off e Botërorit? – Duhet të jem i sinqertë, nuk kam parë asnjë kundërshtar që mund të na shfaqet përpara për play-off. E njoh veten shumë mirë, tani mendojmë për ndeshjen e nesërme dhe për dy takimet e rëndësishme të nëntorit. I kam thënë djemve që ndeshjen e nesërme nuk e shoh si miqësore, por si mundësi. Ekipi Kombëtar është këtu dhe mendja është te hapi i radhës në kualifikueset e nëntorit. Jo, nuk kam parë asgjë më përpara.
Komentet para dhe pas ndeshjes me Serbinë, si i gjykoni? – Unë kam pasur karrierë 15-vjeçare si futbollist, si trajner për 5-6 vite. Ne jemi përgatitur, unë e thashë shembullin e Rey Manajt. E njoh që nga viti 2014, e kam njohur te Interi, është golashënuesi më i mirë i Kombëtares tonë tani, i cili ka respektin e të gjithëve. Një ditë nuk shënon – nuk shërben. Shënon – shërben. Por ne jemi mësuar me këtë vlerësim, është jeta, nuk ndryshon. Jam mësuar si lojtar vlen apo nuk vlen, edhe si trajner vlen apo nuk vlen. Unë e kam thënë që mendoj vetë për të ardhmen. Nuk kam asnjë problem. Nuk flitet për këto gjëra, kemi shumë gjëra të rëndësishme, duhet të jemi inteligjentë. Flasim për ndeshjen ndaj Letonisë që ishte shumë e rëndësishme, pastaj Serbia, pastaj kemi ndeshje të rëndësishme në nëntor. Nuk flasim për këtë, nuk ka asnjë problem.
The post “Ndeshja e nesërme nuk është miqësore”, Sylvinho ka një thirrje për gjithë tifozët kuqezi appeared first on Telesport.