Deponia e Shkupit “Drislla” është në gjendje jashtëzakonisht të keqe, dhe po angazhohemi fuqishëm për ta transformuar, duke ndjekur shembullin e qendrave moderne rajonale evropiane për përpunimin dhe trajtimin e mbeturinave, deklaroi sot kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Gjatë fjalimit të tij në punëtorinë eksperte për krijimin e vendeve të gjelbra të punës në Maqedoni, Gjorgjievski theksoi se vendi duhet të përqendrohet maksimalisht në përzgjedhjen e mbeturinave dhe përdorimin e tyre më efikas si lëndë e parë.
Kryetari kujtoi se menjëherë pas marrjes së detyrës së re filloi pastrimin e Shkupit.
“Që në fillim të mandatit tim iu përkushtova rregullimit të gjendjes me rrëmujën dhe mbeturinat në kryeqytet, problem ky që ka ekzistuar për shumë vite. Jam i bindur se Shkupi, por edhe komunat e tjera, në bashkëpunim me Qeverinë, do të përballen me mbetjet në një mënyrë më të mirë dhe më efikase”, tha Gjorgjievski.
Ai theksoi rëndësinë e organizatave joqeveritare që kontribuojnë në mbledhjen, selektimin dhe përpunimin e mbeturinave.
Duke folur për punëtorinë, kryetari shprehu shpresën se një pjesë e përvojave të ekspertëve austriakë do të përkthehet në praktikë në Shkup.
Ky ishte fjalimi i parë publik i Gjorgjievskit pas marrjes së detyrës si kryetar i Qytetit të Shkupit.
Punëtoria me temë “Krijimi i vendeve të punës të gjelbra në Maqedoninë e Veriut” organizohet nga Ministria Austriake e Punës, Çështjeve Sociale, Shëndetësisë, Kujdesit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Ambasada e Austrisë në Shkup.

