Gazetar: Mihajllo Donev
jykimi për zjarrin në Koçan fillon pas një jave në sallën digjitale në Idrizovë
Institucionet janë zotuar se gjykimi për zjarrin në Koçan do të zhvillohet pa probleme, seancat gjyqësore nuk do të shtyhen dhe të gjitha masat e sigurisë do të jenë në nivelin më të lartë. Në konferencën e sotme me gazetarët, prokurori publik i shtetit tha se gjithsej 15 prokurorë do ta trajtojnë rastin dhe se nuk do të ketë shtyrje të seancave nga ana e tyre. Gjykimi fillon më 19 nëntor në sallën e re digjitale të gjyqit në Idrizovë.
“Në organizim të Gjykatës Penale- Shkup, saktësisht pas një jave, gjykimi për tragjedinë e Koçanit do të fillojë në sallën e re në Idrizovë. Në konferencën e sotme me gazetarët, gjykata njoftoi se po merren të gjitha masat e sigurisë për të siguruar që gjykimi të fillojë pa asnjë pengesë. Diana Gruevska Ilievska, gjykatësja që do të drejtojë rastin, nuk ishte e pranishme në takimin me gazetarët mbi detajet teknike të gjykimit, të cilin kryetarja e Gjykatës Penale, Daniella Dimovska, tha sot se do të jetë sfidë serioze për gjykatën. Megjithatë, Dimovska garanton transparencë maksimale dhe dinamikë të shpejtë të seancave”, raporton Mihajllo Donev, Gazetar.
“Do të bëjmë gjithçka që të sigurohemi që të mos ketë vonesa në seancat dëgjimore kurse gjykatësi tashmë ka njoftuar se do të caktohen të paktën dy seanca në javë. Gjykata do të sigurojë të gjitha kushtet për procedurë të drejtë dhe transparente, me apel drejtuar publikut për respekt dhe dinjitet ndaj të gjitha palëve, veçanërisht ndaj viktimave dhe familjeve të tyre”, deklaroi Daniela Dimovska- Kryetare e Gjykatës Penale.
Prokuroria është zotuar gjithashtu se nuk do të ketë shtyrje të seancave dëgjimore. Ekipi i prokurorëve do të zgjerohet në 15 të tillë, por secili prej tyre nuk do të marrë pjesë në të gjitha seancat dëgjimore.
“Nuk do të lejojmë që asnjë seancë dëgjimore të shtyhet për fajin tonë. Kjo është arsyeja pse kemi marrë vendimin për të zgjeruar ekipin e prokurorëve, numri i tyre mund të rritet në 15. Kjo nuk do të thotë që të gjithë do të jenë në sallë gjatë gjithë kohës. Ata do të jenë të pranishëm në seancën e parë dëgjimore, më pas, sipas dinamikës, ekipet do të jenë të pranishme në seanca konkrete dëgjimore”, tha Lupço Kocevski- Prokurori Publik i Shtetit.
Salla relativisht e re digjitale në Idrizovë do të jetë vendi ku 35 individë dhe tre persona juridikë me avokatët e tyre do të ulen në bankën e të akuzuarve për herë të parë më 19 nëntor kurse institucionet garantojnë se janë siguruar kushtet për një nga seancat më të mëdha gjyqësore në vend. Ndërkohë, derisa i gjithë publiku pret fillimin e gjykimit për zjarrin në klubin e natës “Puls” në Koçan, ku jetën humbën 63 persona dhe rreth 200 u plagosën, prindërit e viktimave do të protestojnë në Shkup të shtunën, ku do të kërkojnë gjykim të drejtë dhe drejtësi për të afërmit e tyre. /Alsat.mk
The post Gjykata Penale: Janë marrë të gjitha masat për gjykim të drejtë dhe transparent për tragjedinë në Koçan appeared first on Alsat.

