Në një seancë të mbyllur qeveritare u vendos çmimi i energjisë elektrike që kompania shtetërore EMV do t’ia ofrojë EVN Home për vitin 2026, përcjell TV21. Kryeministri Hristijan Mickoski sot nuk tregoi nëse ai do të jetë mbi 62 euro për megavat/orë, sa shitet aktualisht, duke theksuar se deri sa të përfundojë prokurimi nga furnizuesi, nuk mund të jepet shifra pasi është informacion i klasifikuar.

“Ne po veprojmë që të mos ketë shqetësime të mëdha për standardin e qytetarëve dhe implikime. Nga ana tjetër, vazhdojmë me subvencionimin, pasi çmimi në treg i energjisë elektrike është rreth njëqind euro aktualisht, dhe për herë të parë po realizohet prokurim publik për një vit të tërë, jo vetëm për gjysmën e vitit. Pra, në këtë moment nuk mund të jap çmimin, por jini të sigurt se kujdesemi për standardin e qytetarëve dhe do të vazhdojmë të subvencionojmë energjinë elektrike për të gjithë ata që e marrin në tregun e rregulluar, pra familjet”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.