Gazetar: Angell Dimovski
Debat i ashpër në ditën e shtatë të diskutimit për amendamentet e buxhetit në Kuvend. Deputeti nga Aleanca për Shqiptarët, Halil Snopçe, akuzoi se nga borxhi i marrë prej 250 milionë eurosh, asnjë denar nuk ishte ndarë për kompanitë shqiptare. U kundërpërgjigj deputeti nga VLEN, Bekim Qoku, me pretendimin se Snopçe bashkëpunon me persona të përfshirë në korrupsion masiv.
“Kemi marrë 250 milionë euro borxh, ndërsa zero denarë për kompanitë shqiptare. Kë po i akuzoni? Universitetin “Nënë Tereza”, këtë vit ka më pak mjete se vitin e kaluar e kështu me radhë”, tha Halil Snopçe – Aleanca për Shqiptarët.
“Me kë jeni ulur ju këtu zoti Snopçe, me kë i ndani amendamentet? Me të njëjtët persona që për 23 vite kanë qenë pjesë e korrupsionit masiv. Gjysma prej tyre janë në listën e zezë, ata partnerë koalicioni ikën pikërisht për shkak të këtij korrupsioni”, u shpreh Bekim Qoku – VLEN.
Përplasja nga amendamentet për buxhetin u shndërrua në grindje se kush me kë kishte koalicionuar në të kaluarën.
“Apo e akuzoni Ramiz Merkon, partnerin e ri të koalicionit që e keni në Strugë? Të cilin gjithë kohën e keni akuzuar, për cilat parime po flasim?”, deklaroi Halil Snopçe – Aleanca për Shqiptarët.
“Pse shkuat te korrupsioni masiv? Për këtë mos i fajësoni ata që u larguan, shikoni ata që shkuan te korrupsioni. Sa i përket Ramiz Merkos, ai vazhdon të jetë një nga më të korruptuarit dhe ai vetë tha se ‘ende jam BDI, parti me të cilën edhe ti je këtu afër”, shtoi Bekim Qoku – VLEN.
Seanca plenare në të cilën do të shqyrtohet Propozim-buxheti për vitin 2026, është planifikuar të mbahet më 9 dhjetor. /Alsat.mk
The post Debat i ashpër në ditën e shtatë të diskutimit për amendamentet e buxhetit në Kuvend appeared first on Alsat.
